Trusti sqaron procedurat e tërheqjes së 10% të kursimeve, kërkon nga qytetarët të mos i shkojnë në zyrë

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 10:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Edhe pse ende nuk ka një vendim nga Ministria e Financave për tërheqjen deri në 10% të kursimeve në Trustin Pensional, qytetarët kanë dalë për të marrë informacione si mund të tërheqin ato në këtë institucion, raporton Ekonomia Online.

Ky propozim është bërë për të ndihmuar në tejkalimin e krizës së krijuar nga virusi. Qytetarët e kanë mirëpritur këtë propozim, derisa thonë se do t’i ndihmojë sado pak në nevojat elementare.

Muhamet Bytyqi nga komuna e Lipjanit ka dalë për të parë nëse mund t’i tërheq këto mjete.

Ai potencoi se kjo shumë do të ndihmojë në këtë situatë.

“Propozimi është i mirë nga Qeveria, nuk edi se kur do të merret ky vendim, por shpresoj që shpejt. Kjo do të na ndihmojë në këtë krizë, është shumë simbolike”, tha ai.

Minire Mziu thotë se është mundësi e mirë për njerëzit që kanë nevojë t’i nxjerrin këto mjete në këtë kohë.

“Është vendim i mirë, nëse njerëzit kanë nevojë është mundësi e mirë për t’i ndihmuar. Është krizë edhe për bizneset edhe për të gjithë, andaj është ndihmesë për ti nxjerr këto mjete në këtë kohë”, u shpreh ajo.

Kurse Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës Jeton Demi, një një intervistë për Ekonomia Online, ka sqaruar se pa ndryshim të ligjit tërheqja e mjeteve nuk mund të bëhet.

AI madje ka lutur qytetarët që të mos bëjnë tollovi para zyrave të këtij institucioni, duke shtuar se procedurat deri të tërheqja e mjeteve marrin kohë.

“Ne kemi pasur fluks të jashtëzakonshëm të rritur qysh nga java e kaluar edhe këtë javë dhe qytetarëve dhe kontribuueseve që kërkojnë të tërheqin mjetet, por ne duhet ta sqarojmë qysh në fillim që ende nuk mund të tërhiqen mjetet sepse duhet të ndryshohet ligji, bile edhe pas ndryshimit të ligjit ka kohë dhe procedura që duhet të pritet afateve e publikimit të tij”.

“Pra lusim mirëkuptimin e kontribuuesve që të mos krijojnë tollovi në këtë moment sepse nuk ka ende diçka konkrete. Duhet të kalojnë nëpër disa hallka të miratimit të ligjit fillimisht në Qeveri pastaj në grupet parlamentare në leximin e parë që do të ketë kohë nëse eventualisht do të ndryshojë ligji dhe çfarë do të ketë konkrete në ndryshimin e ligjit”.

“Duhet kuptuar që secili e ka një bilanc në llogari personale dhe secili duhet kuptuar se varësisht prej bilancit duke filluar nga 100 euro që i bie 10% e më tutje është përqindje e bilancit të tyre 1/10, pra 10% do të mund të tërhiqet sipas deklarimeve aktuale. Të gjitha këto janë vetëm ide, propozime, pra është një plan i prezantuar, por që nuk ka kaluar nëpër hallkat institucionale të miratimit dhe diskutimit paraprak”.

Të ngjashme