Ekonomia e dobët ka nevojë për reforma

Prishtinë | 30 Maj 2017 | 09:45 | Nga Selami Xhepa

Tashmë që partitë politike arritën në një marrëveshje për të zhvilluar një proces zgjedhor brenda atij që mund të quhet normalitet demokratik i pranueshëm, vëmendja duhet kthyer te çështjet që janë prioritetet madhore të zhvillimit. Punësimi dhe mirëqenia, lufta ndaj varfërisë dhe rritja ekonomike gjithëpërfshirëse, një sistem funksional arsimor dhe shëndetësor, një infrastrukturë e përshtatshme për të zhvilluar qoftë manifakturën apo bujqësinë – mbeten prej kohësh sfidat që nuk po mposhten dot. Fatkeqësisht, edhe pas gati tre dekadash tranzicion drejt ekonomisë së tregut, dobësitë ekonomike mbeten të theksuara. Akoma ekonomia ka krijuar një punësim që nuk e nxjerr individin nga varfëria ndërkohë që papunësia midis të rinjve mbetet shqetësueshëm e lartë.

Që prej vitit 2012, ekonomia e vendit ka mbetur në nivelet e një stanjacioni sekular, për të përdorur një term të popullarizuar nga Sammers dhe Krugman, domethënë një gjendje e dobët e rritjes ekonomike. Edhe pse prospektet e parashikuara në planin afatmesëm nga qeveria për një rritje që do të kalojë 4%-5%, mendoj se parashikime të tilla janë shumë optimiste dhe nuk janë të argumentuara bazuar në një analizë të shfrytëzimit të burimeve dhe kapitaleve. Për më tepër që rritja ekonomike edhe gjatë viteve të shkuara kur ka qenë shumë më e lartë, ka thënë shumë pak për cilësinë e ndryshimit të ekonomisë dhe shoqërisë.

Pikërisht prej këtu mendoj duhet të nisin dhe programet elektorale të forcave politike pretendente për qeverisje, veçanërisht i Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Deri tani në faqen e internetit asnjëra prej tyre nuk ka vendosur programin politik dhe qeverisës për këtë proces zgjedhor. Edhe pse PD ka kryer një sërë aktivitetesh promovuese dhe dialoguese të programit ekonomik disa muaj më parë, këto diskutime nuk janë finalizuar në një dokument zyrtar që duhet formalizuar dhe miratuar nga strukturat vendimmarrëse dhe t’i paraqitet publikut për gjykim. Edhe PS thjesht ka vendosur në faqen e saj në internet arritjet (propagandistike) të këtij mandati por nuk është aspak specifik se çfarë do të ofrojë në kërkim për një mandat të dytë qeverisës.

Fjalimet në tubimet politike vazhdojnë të jenë kryesisht shkëmbime retorikash ose në ndonjë rast edhe citate elektorale të tipit “do krijojmë 200 mijë vende pune”, ndërkohë që punëkërkues të regjistruar sipas INSTAT janë vetëm 140 mijë persona. Duhet që partitë të bëjnë të aksesueshëm për publikun piketat kryesore të platformës qeverisëse, duke filluar me fuqizimin e institucioneve demokratike – sëmundja më themelore e shoqërisë dhe thembra e Akilit që mban peng zhvillimin e ekonomisë – e deri te çështjet e stabilitetit makroekonomik dhe politikat sektoriale. Në demokraci partitë politike mbahen përgjegjëse pikërisht për premtimet e tyre elektorale dhe inovacionin që ato krijojnë në politikat e zbatuara gjatë qeverisjes.

Vitet që kanë pasuar krizën globale nuk kanë gjetur në një përgjigje energjike nga qeverisja, për të mos thënë se disa nga politikat e zbatuara kanë rezultuar kundërproduktive, duke e përkeqësuar klimën e biznesit në vend, siç u provua nga raporti i Bankës Botërore dy vjet më parë. Pezullimi i ndërtimeve, përfshi objektet industriale, së bashku me problemet e trashëguara të korrupsionit, informalitetit, ineficiencës së punës së sistemit gjyqësor etj., kanë mbajtur peng zgjerimin e sipërmarrjes private dhe ardhjen e investimeve të huaja në sektorët e industrisë.

Kryesisht investimet e huaja kanë qenë ose ato që ishin kontraktuar vite më parë, si TAP dhe Devoll Hydropower ose thithje dhe blerje kompanish ekzistuese në naftë, aeroport, minerale, banka etj. Për më tepër, realitetet e reja globale duket se i kanë rritur rreziqet dhe më shumë. Ndryshimet ligjore në Itali për industritë e call centers, por dhe pasiguritë që mbeten për shkak të realiteteve të reja të krijuara pas ndryshimeve politike të rëndësishme që kanë ndodhur në vendet e zhvilluara, mund të përkeqësojnë dhe më shumë të ardhmen e investimeve private dhe posaçërisht atyre të huaja.

Në këtë kontekst të ndryshuar dhe me surpriza befasuese në të ardhmen, politikat ekonomike inovative që do të ofrojnë partitë politike mund të bëjnë një diferencë të madhe për vendin. Praktika e derisotme e programeve politike dhe qeverisëse ka qenë gjeneraliste dhe jo specifike, populiste dhe jo e studiuar dhe realiste, duke ofruar më shumë lista dëshirash të pritshme nga publiku dhe jo alternativa të bëshme dhe të besueshme, zgjidhje afatgjata dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.

Duke e konsideruar si një prerekuizitë të pakontestueshme ruajtjen dhe konsolidimin fiskal të vendit – pra moscenimin e deficitit dhe rritjen e të ardhurave buxhetore si e vetmja alternativë që do të ndihmojë vetë partitë qeverisëse të realizojnë më shumë programe investimi dhe mbështetje sociale më të fuqishme – në gjithçka tjetër forcat politike mund të jenë inovative dhe të ndryshme nga njëra tjetra. Veçanërisht programet e reformave strukturore dhe të zhvillimit industrial të vendit duhet të jenë prioritare dhe të zënë vendin qendror në to. Të listosh thjesht shifra me disa zero në alokimin e fondeve buxhetore sipas sektorëve, nuk thotë asgjë. Në thelb, buxhetet janë instrumente që mbështesin reforma dhe këto reforma duhen kostuar dhe alokimi burimeve duhet parashikuar në një afat të mesëm.

Këtu mendoj se partitë mund të ndryshojnë. Fjala vjen, nëse në thelb të politikave të ri-industrializimit do të jenë parqet industriale, atëherë partitë politike duhet të jenë eksplicite se në çfarë zone do të krijohen, sa do të jenë investimet publike që do kryhen dhe në çfarë shërbimesh do të orientohen, si do të zhvillohen procedurat e materializimit të tyre, etj. Mbështetja për bujqësinë është po ashtu thelbësore. Programet duhet të specifikojë se çfarë programesh do të zhvillohen dhe si do të realizohet ajo, raportet e mbështetjes së prodhimit në raport me tregtimin; raportet e kredive me grantet; si do garantohet transparenca e ndarjes së fondeve; si do të menaxhohet infrastruktura rurale, etj. Po ashtu reformat në arsim dhe shëndetësi: duhen specifikuar objektivat e reformave dhe politikat që forcat politike ofrojnë si alternativa zgjidhjeje.

Fatkeqësisht reforma e arsimit të lartë u anatemua aq fort pa filluar të zbatohet dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe vetë opinioni publik mbeti shumë skeptik. Grupe interesash që janë krijuar në këto vite sigurisht që nuk e dëshirojnë ndryshimin; ndryshimi vjen me kosto për ta, por shoqëria nuk mund të zvarritet për shkak të interesave të tilla të ngushta. Problemi madhor qoftë në arsim dhe në shëndetësi janë jo liberalizimi, por monopolet e padrejta dhe mungesa e konkurrencës midis operatorëve në treg, rregullimet e pamjaftueshme në treg dhe abuzimet, për shkak të administratës së dobët, me pasoja përfituese për disa lojtar dhe me kosto për publikun; dyzimeve që kanë politikat publike: nga njëra anë bëjnë sikur promovojnë lirinë e tregut, por nga ana tjetër favorizojnë grupe interesi të cilët nxjerrin fitime të tepruara dhe në dëmtim të interesave të publikut.

Kapacitetet e administratës publike për të monitoruar funksionimin e tregjeve janë problematik, duke rezultuar kështu në një gjendje ku nuk kemi as tregje të liberalizuara, por as të rregulluara dhe monitoruara– thjesht tregje kaotike dhe veprime spontane e arbritrare nga administrata publike. Në një kontekst të tillë çorganizimi, dështimet faturohen si dështime të tregut dhe shteti përfiton duke futur duart në mbirregullimin e tregjeve të cilat rezultojnë me kosto edhe më të larta për qytetarët. Kështu kalojmë nga një dështim në një dështim tjetër, duke mbajtur zvarrë interesat afatgjata të vendit.

Për këtë arsye, është e nevojshme që programet politike të partive të jenë shumë specifike, argumentuese dhe konkrete, në mënyrë që të bëhet e mundur një gjykim profesional nga aktorët shoqëror, siç është bota akademike, midis të tjerëve. Instituti Europian Pashko e pret me shumë interes publikimin e programeve dhe do të shqyrtojë çdo dimension të tyre, në këndvështrimin e qasjes liberale dhe lehtësuese për tregun, por në mbrojtjen më të mirë të interesit publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme