Ekonomia teposhtë, potenca politike përpjetë

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 17:59 | Nga Muhamet Spahiu

Kosova po hyn në krizë të thellë ekonomike! Kriza globale e kombinuar me krizë e brendshme, të rënduar veçanërisht nga sanksionet po ndikon me simptoma të qarta në ekonomi dhe ulje të kualitetit të jetës së qytetarit. Pasojat po shihen me statistika të qarta, me ulje drastike të aktiviteteve ekonomike, të cilat vetëm po ndihen në sektorët të ndryshëm të dominuar nga shërbimet.

Edhe pse Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është aspak efektive në publikim të të dhënave publike, dhe disa nga indikatorët as që i publikon që nga viti i kaluar, statistikat që i ka lënë në dispozicion tregojnë qartë që po shkojmë me hapa të shpejtë dhe të mëdhenj në trendët negativë.

Për pak muaj deficiti tregtar është më i lartë për 4,4% në muajin korrik 2023, krahasuar me korrikun 2022. Kjo tregon qartë që importi është rritur dukshëm përderisa treguesit më jetike që lidhen me eksportin kanë shënuar ulje të konsiderueshme. Deficiti tregtar ka arrit në vlerë prej 444,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 426,1 milion euro në vitin 2022.

Eksporti i mallrave në muajin korrik 2023 kishte vlerën 67,3 milion euro, ndërsa importi 512,0 milion euro, që është një rënie prej (-11,8%) për eksport, si dhe një rritje prej 1,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Eksporti mbulon importin me 13,1%.

Eksportet me vendet e BE janë me një ulje (-16.3%) në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në periudhën e dytë të 2022 eksportet ishin 22.1 milion. Edhe pse të ulëta kishte një rritje historike të eksportit, veçanërisht me vendet e BE. Dëmet janë të konsiderueshme në shumë drejtime. Eksportuesit kanë ulje të aktiviteteve ekonomike, e cila do të ndikoj në mënyrë zëngjirura në aktivitetet e brendshme ekonomike duke e çrregulluar tregun dhe çmimet, dhe krejt në fund edhe në buxhetin e shtetit.

Bruto produkti vendor, respektivisht rritja ekonomike është ulë në 2.2% në periudhën e dytë të 2023. Kjo është ndër normat më të ulëta periodike të rritjes ekonomike në Kosovë. Deri te kjo rënje drastike ka ardhë për shumë arsye, sidoqoftë disa indikator janë të qartë kristal. Importi që ndikon negativisht është rritë, përderisa eksporti që ndikon pozitivisht ka rënje, veçanërisht me shtetet e BE.

Sa i përket inflacionit ende është në rritje të vazhdueshme, edhe pse me trende më të ulëta, si pasojë e uljes së kërkesës, edhe pse ka ulje të çmimeve në disa artikuj të ndikuar po ashtu është ndikuar nga ulja e kërkesës. Sa më pak para te qytetarët, aq më e ulët fuqia blerëse. Sa më e ulët fuqia blerëse aq më pak blerje, respektivisht shitje.

Momentalisht kjo krizë ndikimin më të madh e ka te shoqëria civile e cila është drejtpërdrejt e varur nga donatorët dhe kreditë e ndryshme që i jepen shtetit të Kosovës. Shoqëria civile ka qenë shumë e akomoduar me qeverinë aktuale për shumë arsye, dhe ende nuk po reagojnë, por një gjendje e tillë për pak muaj do të ia pamundësoj zhvillimin e aktiviteteve të tyre, prandaj në një gjendje të tillë do të fillojnë të reagojnë dhe të i kundërvihen qeverisë. Shumica e financimeve ndërkombëtare të cilat janë dhënë në mënyra të ndryshme për Kosovë, në përqindje të lartë janë të destinuara për aktivitete profesionale, apo siç jemi mësuar ti quajmë konsulencë, fonde të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt i absorbon shoqëria civile dhe organizatat profesionale.

Kosova është vend transit për paranë, pasi që shumica e parasë që vjen në Kosovë, si nga donatorët ashtu edhe nga remitencat, shkojnë menjëherë jashtë Kosovës përmes importit dhe angazhimit të konsulencës ndërkombëtare. Prandaj një rol të madh në rrjedhën e brendshme financiare e luan sektori i ndërtimit (së bashku me remitencat) i cili tani po dëmtohet në dy drejtime: në investime kapitale të qeverisë të cilat këto vite nuk po implementohen dhe tani edhe nga sanksionet, pasi që shumë nga mjetet financiare të destinuara për projekte madhore janë siguruar nga kreditë ndërkombëtare dhe nga donacionet. Këto kompani kanë shumë nënkontraktor dhe shumë furnitor, (pa anashkaluar të punësuarit, edhe pse në gjendje të rëndë të kushteve të punës), prandaj ndikimi në ulje e aktiviteteve ekonomike do të ndihet në mënyrë zëngjirura, pas tyre në aktivitetet e tregtisë, të shërbimeve, gastronomisë e deri te tregtia me pakicë, siç janë dyqanet e butikët. Kështu që, nëse krahasohen dëmet, është e parëndësishme sa kanalizime, ujësjellësa apo rrugë po ndërtohen, kur maten ndikimet negative që shkaktohet në aktivitete ekonomike nga rrjedha e ulët financiare.

Thirrja për unitet e kryeministrit dhe veprimet sa për fotografi të mira të presidentes janë pa pikë ndjeshmërie karshi problemeve që po vijnë, kur vendi po shkon me hapa të shpejt drejt krizës. Nuk mund të thërrasësh për unitet për obligimet të cilat janë ekskluzive të qeverisë, nuk mund të thërrasësh për unitet partitë opozitare të cilat po i injoron në mënyrat më të gërditshme, nuk mund të thërrasësh për unitet po ata akter të cilëve ia ke refuzu gjithmonë unitetin, nuk mund të thërrasësh kryeministër për unitet kur qasja e jote politike e ka shkatërruar dhe pamundësuar unitetin, mbi të gjitha nuk mund të thërrasësh për unitet kundër BE dhe SHBA, të cilët jo vetëm që janë partner strategjik por janë edhe garantues të paqes në vendin tonë, përmes mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare.
Është shumë e domosdoshme reflektimi i qeverisë në tre drejtime: heqje të sanksioneve sa më parë, ndryshim në qasje qeverisëse apo ulje e veprimeve ekstrem të majta, unitet i brendshëm me qasje serioze dhe vulë të qeverisë.

Të ngjashme