Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Me ekspertët e Projektit të Binjakëzimit është diskutuar për politikat kyçe dhe sfidat legjislative që kanë të bëjnë me procesin e MSA-së, raporton Ekonomia Online.
Deputetë nga Kuvendi i Hungarisë marrëveshjen e Stabilizim e Asociimit (MSA)-në e Kosovës e kanë quajtur një marrëveshje “Sui Generis”. Këtë krahasim e ka bërë deputeti hungarez Johanes.
“ Kemi ngjashmëri që të dyja marrëveshjet synojnë liberalizimin e tregut mes palëve kontraktuese. Sa i përket MSA së Kosovës mund të themi se është një marrëveshje “Sui Generis”. Është një marrëveshje shumëpërfshirëse. Thuhet se asociimi do të arrihet në mënyrë graduale prej periudhës 10 vjeçare. Tri prioritetet kryesore janë tregu i brendshëm, çështjet e sigurisë dhe transporti”, u shpreh deputeti hungarez.
Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu tha se projektligjet jo gjithmonë procedohen me kohë në Kuvend, duke përmendur projektligjin për konflikt interesi.
Anëtari i këtij komisioni Glauk Konjufca, iu ka drejtuar ekspertëve të BE-së duke iu thënë se Kosova, pavarësisht rrrugës së saj të mirë për integrime ka edhe specifikat e saj, duke përmendur mosnjohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE)-së.
“ Neve na bëjnë shumë pengesa mosnjohja e 5 vendeve të BE-së”, tha Konjufca.
Marrëveshjen si ndër më të mirat që ka Kosova, e ka cilësuar anëtari i komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)-së, Hajdar Beqa.
“Unë e kam një mendim që edhe pozita edhe opozita duhet të qëndrojnë të një mendimi për MSA-në, në mënyrë që shteti i ri si ky i joni të ec para”, u shpreh ndër të tjera anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së.