Naim Maloku, ish-oficer i lartë i UÇK-së, tashmë ekspert i çështjeve ushtarake, ka vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s e ka ndihmuar Kosovën që ta përfundonte luftën çlirimtare.
“Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka ndihmuar popullin shqiptar dhe Kosovën për ta përfunduar luftën më shpejt dhe faktikisht për të shpëtuar popullata civile dhe populli ynë. Shpëtimtarë, në njëfarë forme na kanë shpëtuar”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, NATO-ja nuk ka ndihmuar vetëm Kosovën, por gjithë rajonin, pasi që ka ruajtur stabilitetin në Ballkan.
“Distribuimi i forcave të NATO-s në Kosovë ka ndihmuar shumë në rajon, është mbajtur stabiliteti në Maqedoni, janë bërë zhvillime pozitive në Serbi, Mal të Zi. NATO-ja nuk ka pasur ndikim vetëm për stabilitetin e Kosovës, por për krejt rajonin”, ka potencuar Maloku.
Kurse, ka konsideruar se ushtria e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa pëlqimin e NATO-s dhe faktorit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Drizan Shala, ekspert i sigurisë nga “East Bridge Academy” ka thënë se NATO-ja kishte hyrë në Kosovë për ta parandaluar një tragjedi të mundshme sikur ajo e Srebrenicës, transmeton zeri.info.
“Duke parë në retrospektivë zhvillimet që kanë ndodhur para më shumë se një dekade në Ballkan dhe luftërat çnjerëzore që ishin zhvilluar, si pikë kyçe mund të potencojmë që NATO-ja si mision i Kombeve të Bashkuara nën Rezolutën 1244 hyri në Kosovë për ta parandaluar një Srebrenicë të dytë, që ishte planifikuar të ndodhte në komunën e Podujevës më 1999”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, duke folur për ushtrinë, ai ka thënë se ushtria është çelësi për të hyrë në NATO mirëpo, sipas tij, NATO-ja ka status neutral ndaj zhvillimeve në raport me procedimin e ligjit për ushtri, sepse ashtu si ai ka potencuar, misioni kyç i tij është ruajtja e stabilitetit të brendshëm ndëretnik.(Zëri)