Ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar se me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Kosovë qëndrimi i NATO-s mbetet i palëkundur në raport me Kosovën, ndërsa FSK-ja vazhdon procesin e saj të transformimit në një forcë të armatosur moderne, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë vlerësuar se mesazhet e dhëna gjatë kësaj vizite janë të rëndësishme për sigurinë në rajon dhe për zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së.
Profesori universitar, Fatmir Çollaku, ka theksuar se NATO ka përcjellë një mesazh të qartë për sigurinë e Kosovës dhe për rolin e KFOR-it në vend.
“Tashmë janë të qarta dhe ishin të qarta në momentin e artikulimit të kërkesave të veta për institucionet e Kosovës sekretari i NATO-së bëri më dije dhe përcolli mesazh fillimisht se NATO-ja është Kosovë përmes KFOR-it dhe njëkohësisht anëtarë të kësaj force, do të thotë Aleancës Veri-atlantike, janë në gatishmëri për të mbrojtur Kosovën për të ndihmuar dhe asistuar në aspektin e sigurisë për të parandaluar çfarëdo rrezikimi serioz të sigurisë kombëtare e kështu me radhë. Në anën tjetër, la edhe disa porosi të tjera, të cilat nga disa u kuptuan mekanikisht e nga disa të tjerë u kuptuan në kontekstin e rrethanave aktuale. Unë jam në grupin e dytë që e kam parë në kontekstin e rrethanave aktuale dhe zhvillimeve dinamike, që janë duke ndodhur në Evropë dhe në Amerikë. Mendohet gjithnjë për iniciativat e Trump dhe këtë zhurmën e madhe që bëhet për lënien e patates së nxehtë në duar të Evropës në aspektin e sigurisë kolektive që Evropa të kujdeset vetë, të financojë vetë sigurinë kolektive”, ka thënë ai.
Eksperti i sigurisë ka komentuar edhe qëndrimin e NATO-s për FSK-në, duke theksuar se ky institucion është në një proces të transformimit sipas planifikimeve të dakorduara me aleatët.
“Prandaj, këto relacione dhe konstelacione duhen kuptuar mirë përtej asaj që është thënë në kuptimin e fjalëve dhe fjalive në kuptimin e domethënies, sepse bëhet fjalë edhe një herë për deklarata më shumë diplomatike, sepse Sekretarit i ri i NATO-s i ka parasysh këto zhvillime, tensionimin e raporteve, së paku përshkallëzimin e marrëdhënieve tradicionalisht të mira mes Evropës dhe Amerikës. Në këtë rast me iniciativën e Tramp kemi risi në aspektin e tendencës së ridizajnimit të interesave amerikane në truallin evropian. Në këtë frymë ishte shumë i matur dhe për të e mos thënë troç se FSK-ja është duke u zhvilluar mirë si forcë e armatosur, përkundrazi, tha se është organizatë humanitare, gjegjësisht ka karakter humanitar. FSK-ja realisht nuk është ajo, sepse dy ditë pas patëm marrëveshjen kornizë të nënshkruar me SHBA-në, pikërisht për armatimin dhe transformimin e FSK-së sipas dinamikës së planifikuar nëpër faza, të cilat janë të njohura publikisht”, ka thënë ai.
Çollaku ka shtuar se deklaratat e Sekretarit të NATO-s duhen parë në kontekstin e zhvillimeve globale, përfshirë ndryshimet në raportet mes Evropës dhe SHBA-së.
Ai tha se Rutte përcolli mesazhin në Serbi se NATO-ja s është konsekuente, është e gatshme të ndërmarrë veprime dhe masa, sipas mandadit të saj, që të mos lejojë përshkallëzim të situatës ose ndonjë tendencë të Serbisë për të aneksuar pjesën veriore.
“Shikuar në përgjithësi, ishte një vizitë e suksesshme dhe e dobishme për Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht përcolli mesazhet politike për krerët e vendit që secili të kryejë detyrat e veta në rastin konkret për garuesit në zgjedhje, të cilat përfunduan një muaj e ca që të formojnë institucionet të bashkërendojnë aktivitetet me institucionet evropiane dhe ato amerikane, me një fjalët më aleatët tanë, meqë të gjithë e dimë që bëhet fjalë për një zonë shumë intensive, një terren, pjesa e veriut dhe Kosova në përgjithësi është një vend që lehtë mund të gjenerohet pasiguria dhe të konvertohet siguria në pasiguri. Prandaj që të mos ndodhë kjo këto janë paralajmërime, instruksione, këshilla dhe këto janë rekomandime të sekretarit të NATO-s për institucionet e Kosovës dhe në anën tjetër ka një fuqi më të madhe se këtë që e thamë deri më tani, sepse përcolli mesazhin në Serbi se NATO-ja s është konsekuente, është e gatshme të ndërmarrë veprime dhe masa, sipas mandatit të saj, që të mos lejojë përshkallëzim të situatës ose eventualisht ndonjë tendencë të Serbisë qysh ka pasur në vazhdimësi për të aneksuar pjesën veriore. Pra, NATO është konsekuente në qëllimet e veta. Mesazhi është për Serbinë, por edhe për Kosovën, që Kosova të kryejë detyrat e veta, sipas mandatit dhe marrëveshjet ndërkombëtare që kanë qenë deri tani, ato detyra që dalin nga këto dhe marrëveshjet e tjera. Serbia të ketë parasysh edhe një herë: rikonfirmohet se NATO-a është këtu”, ka thënë ai.
Në të njëjtën linjë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka theksuar se NATO-ja, përveçse një komponent ushtarak, ka edhe një dimension politik, duke pasur parasysh se disa shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Dihet që NATO përpos që është komponent ushtarake, është edhe komponent politik. Në kuadër të NATO-s ka shtete që nuk e njohin Kosovën, nuk e njohin realitetin e Kosovës. Sa i përket çështjes së vendosjes në theks të aspektit humanitar, mos të harrojmë një gjë: një nga komponentet kryesore të misionit dhe mandati që e ka është edhe çështja humanitare, sepse marrja pjesë në operacionet ndërkombëtare për çështjet humanitare, së bashku me forcat britanike, amerikane dhe turke, kjo dëshmon faktin se FSK kryen një mision humanitar. Nuk është asgjë spektakulare apo nuk është asgjë negative që ka potencuar një gjë të tillë, sepse ne jemi duke krijuar forcë mbrojtëse jo forcë ofensivë. Kjo është në kuadër të planit gjithëpërfirës të FSK-së në forca të armatosura. Ishte një tregues e qartë e cila e ka përcaktuar qartazi të ardhmen e FSK-së në kuadër të komponentit ndërkombëtar të NATO-s”, ka thënë ai.
Shala ka përmendur katër çështjet kryesore që janë diskutuar gjatë vizitës së Sekretarit të NATO-s: mbështetja për KFOR-in, mbështetja politike për dialogun Kosovë-Serbi, siguria rajonale dhe mbështetja për FSK-në.
“Ishin katër pika kryesore: çështje e mbështetjes për KFOR-in, çështja e mbështetjes politike për ndërmjetësimin dhe suportimin e dialogut Kosovë-Serbi. Çështja e tretë ndërlidhej me sigurinë rajonale dhe çështja e katërt ishte potencimi i çështjes së mbështetjes për FSK-në. Janë katër pika kryesore, me të cilat ne do të duhej të pajtohemi dhe do të duhej të bashkëpunojmë tutje”, ka thënë ai.