Ekspertët sugjerojnë Ligj të ri për Shëndetësi, aktuali e ka çorganizuar sistemin shëndetësor

Prishtinë | 15 Maj 2022 | 10:12 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji për Shëndetësi duhet që të ndryshohet në mënyrë që të ketë organizim të sistemit shëndetësor, po vlerësojnë ekspertët.

Infektologu Ilir Tolaj për Ekonomia Online thotë se është e nevojshme që të ndryshohet ky ligj meqenëse ai aktual e ka dezorganizuar shëndetësinë.

Mes tjerash, Tolaj thekson se në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar dhe Fondin për Sigurime Shëndetësore nuk ka udhëheqës por administrator.

“Është e nevojshme që të ndryshohet Ligji për shëndetësinë meqenëse ky i cili është aktual në vend që ta rregullojë sistemin shëndetësor e ka dezorganizuar në mënyrë të plotë. Ne kemi një strukturë gjigante siç është Shërbimi Spitalor Klinikë i cili është jofunksional. Kemi Fondin e Sigurimeve Shëndetësore që është jofunksional, kemi Ministrinë e Shëndetësisë e cila i ka autorizimet e kufizuara ndërsa përgjegjësia prej saj kërkohet në nivelin më të lartë”.

“Me këtë kemi disa prej hallkave të sistemit shëndetësor të cilat janë të ndara prej njëra-tjetrës. Mbi të gjitha në Shërbimin Spitalor Klinikë në Fondin për Sigurime Shëndetësore ne nuk kemi udhëheqës ne kemi administrator të tipit nën mesatar dhe është e pamundur të pritet ndonjë transformim i shëndetësisë për tu ballafaquar me sfidat e post-Covid”, tha Tolaj.

Për Ligjin për Sigurime Shëndetësore, ai tha se është vonuar që të miratohet dhe si i tillë do të duhet të ndiqte praktikat e vendeve më të mirë.

Por ai thotë se për shkak të faturimeve të eksagjëruara ekziston mundësia që të shpenzohen për tre muaj mjetet e grumbulluara në fond.

“Sa i përket Ligjit për sigurime shëndetësore unë gjithnjë kam potencuar është një pritje tejet e madhe përtej arsyesh për këtë ligj dhe benefitet e tij. Ne një lloj të sigurimeve shëndetësore e kemi edhe tash. Vetë fakti që çdo kush mund të vije në spitalet klinike dhe të merr shërbim shëndetësor falas nënkupton se ai është i siguruar. Dhe ky është një sistem që është aplikuar nga britanikët sistem i bazuar në taksa”.

“Sistemi i cili tani po propozohet përmes sigurimeve shëndetësore në vendin i cili ka pak të punësuar dhe ekonomi të dobët mund të gjenerojë sasi të caktuar të mjeteve financiare të cilat nuk mund ta bëjnë ndërrimin e madh në funksionimin e sistemit shëndetësor dhe mbrojtjen shëndetësore. Ekziston edhe rreziku që fondi i siguruar për shëndetësi mund të shpenzohet për 3 muaj në bazë të faturimeve që mund të jenë të ekzagjeruara”, tha ai. 

Kurse pulmologu, Flamur Marku theksoi se sistemi shëndetësor ka ligje të mjaftueshme vetëm se duhet të zbatohen.

Krejt kjo në mënyrë që pacientët të kenë qasje më të lehtë dhe shërbime më të mira.

“Duke marrë praktikat e vendeve të tjera më së shumti fitojnë pacientët. Mirëpo do të rregullohet edhe sistemi shëndetësor dhe do të kemi një qasje më të lehtë ku pacientët do të kenë mjekimin më të lehtë”.

“Në fakt sistemi shëndetësor ligje ka të mjaftueshme vetëm se duhet të zbatohen dhe tani më ka ardhur koha që e të zbatohen dhe të sigurohet një qasje më e lehtë te mjekimi i pacientëve sepse sistemi shëndetësor është falas pa pagesë mirëpo kushton mjekimi”, tha Marku.

Sipas doktor Markut, gjendja infrastrukturore në Pulmologji është mjaft e rëndë sepse ka mungesë të hapësirave, raporton EO.

“Ka qenë ngarkesë e madhe gjatë dy vjetëve pandemi. Ka qenë mësim i mirë për profesionistët shëndetësor dhe kemi treguar një shkallë të lartë të pjekurisë profesionale por edhe të gatishmërisë qytetare që të përballen me sëmundje të ndryshme që shfaqen në kohë të caktuara”.

“Në Pulmologji është një gjendje infrastrukturore jo e mirë. Edhe vetë ministri e ka cekur se është një gjendje e mjerueshme. Ne kemi nevojë më shumë për hapësira për pacientë sepse dhomat janë të mbikngarukuar”.

Të ngjashme