Eksperti i sigurisë vlerëson se 100 milionëshi është i pamjaftueshëm për mbrojtjen e Kosovës

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i Sigurisë, Fadil Kajtazi, po vlerëson se buxheti i ndarë me vlerë 100 milionë eurosh, është i pamjaftueshëm për ushtrinë e Kosovës, duke u bazuar në qasjen që ka vazhdimisht Serbia, si armike e shtetit kosovar.

”Nëse politika jonë apo aspiratat e kësaj qeverie në politikën e jashtme, kanë një tendencë të politikës izolacioniste, ky buxhet është shumë i vogël, i pamjaftueshëm për mbrojtjen e Kosovës sepse ne kemi një armik potencial, i cili de juro, na ka brenda sistemit të vet konsistucional, Kosovën e konsideron pjesë të pushtuar përkohësisht nga pakti NATO, rreth Kosovës i ka katër brigada, rreth 50 batalione, dhe për një mbrojtje ndaj këtij potenciali 100 milionë euro janë të pakta, duhet llogaritur edhe një buxhet”.

”Sepse për të pasë një mbrojtje efektive ndaj këtij potenciali ushtarak që ata llogarisin me mësy Kosovën në tri drejtime, ne duhet të paktën t’i kemi tri brigade të pajisura mirë sipas organikës luftarake”.

”Duhet të kemi njësinë e dronëve, njësinë e vëzhgimit dhe lajmërimit ajror, është një kompleks i tërë, por mendoj që politika jonë nuk është aq e emancipuar të mendojë këso avantura dhe mbrojtjen e vendit ta organizojë sipas koncepteve të mbrojtjes kolektive duke u integruar në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Megjithatë, Kajtazi thekson se duke qenë se Kosova mbrojtjen e ka donacion nga aleatët, përkatësisht nga SHBA, kjo vlerë buxheti, është i mjaftueshëm nëse politika vazhdohet sipas këtij angazhimi.

”Politika e sigurisë së një shteti është sistem, që ka tri shtylla kryesore. Ka politikën e Jashtme, politikën Ekonomike dhe politikën e Mbrojtjes”.

”Në përgjithësi asnjë shtet, nuk i ka me bollëk këta tre faktorë strategjikë. Por, shtetet si Kosova, politikën e mbrojtjes e mbështesin në Politikën e Jashtme, në aleanca, në marrëdhënie me aleatë. Shteti i Kosovës qysh ne e dimë, është liruar dhe sponzorizuar, dhe mbrojtjen e ka donacion nga aleatët tanë, pjesën më të madhe pra, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

”Dhe nëse kjo politikë shkon sipas këtij kohezioni, këto mjete, pra ky 100 milionëshi është i mjaftueshëm, për t’u planifikuar në faza të caktuara”.

Të ngjashme