Në dy muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, 128 milionë euro mallra janë eksportuar nga Kosova drejt vendeve të tjera.
Këtë e konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci.
Ai shtoi se për muajt janar dhe shkurt të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar kur ishin eksportuar 96 milionë euro, është shënuar rritje për 40%.
“Nëse krahasohen periudhat janar-shkurt të vitit 2021 dhe janar-shkurt të vitit 2022 ne e vërejmë që kemi edhe këtë dy muajt e parë edhe për kundër që viti 2021 ka qenë viti ndoshta më i mirë i eksportit ku kemi tejkaluar rreth 700 milionë euro mallra të eksportuara”.
“Këta dy muaj e parë kemi eksport prej 128 milionë euro që në krahasim me 96 milionë të vitit të kaluar që kanë qenë për janar-shkurt ka një rritje rreth 40 për qind të mallrave të cilat janë duke u eksportuar nga Kosova drejt vendeve të tjera”.
Produktet të cilat importohen më së shumti sipas Stavileci janë derivatet, industria e automjeteve dhe e duhanit.
“Kryesisht produktet të cilat importohen në aspektin e vlerës në Kosovë janë derivatet të cilat sjellin më së shumti të hyra, pastaj vijnë industria e automjeteve në përgjithësi dhe industria e duhanit. Këto janë tri produktet që sjellin më së shumti të hyra dhe kanë më së shumti vlera në fazat e importit”.
“Importi i përgjithshëm gjatë vitit të kaluar ne kemi pasur rreth 4.6 miliardë euro mallra të importuara në tërë territorin e Kosovës. Do të thotë kemi pasur lloje të ndryshme të mallrave të cilat janë futur në Kosovë”.
Stavileci ka sqaruar se trendi i mallrave të importuar ka mbetur i njëjtë, përveç që është vërejtur dallim në vlerë për shkak të rritjes së çmimeve, raporton EO.
“Tek importi mund të them se trendi i mallrave të cilat janë importuar apo vlerës së mallrave ka mbetur në suaza të njëjta me vitin e kaluar, përveç një dallimi se vlerat në import kanë shënuar rritje për shkak të rritjes së çmimeve në mbarë botën, derisa mund të ju them se në aspektin e peshës jemi pak a shumë rreth 500 milionë kilogramë kanë qenë të importuara vitin e kaluar për këtë periudhë përderisa tani prapë kemi rreth 500 milionë kilogram të importuara gjatë këtij viti. Pra trendi i sasisë është i njëjtë derisa trendi i vlerës ka shënuar rritje për shkak të shtrenjtimit të produkteve”.
“Rënia e importit është e ndërlidhur kryesisht me konsumin e brendshëm. Nëse ka rritje të konsumit, atëherë domosdoshmërish ka rritje të importit. Nëse kemi ulje të konsumit të brendshëm atëherë normalisht që do të ketë edhe rënie”.