Ekspozimi i foshnjave ndaj telefonave, ndikon negativisht në zhvillim

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Studimi më i madh i kryer deri më sot mbi përdorimin e ekraneve nga foshnjat paralajmëron se ekspozimi i fëmijëve nën moshën dy vjeç ndaj telefonave, tabletëve dhe pajisjeve të tjera dixhitale mund të ndikojë negativisht në zhvillimin, shëndetin dhe cilësinë e jetës së tyre, ka raportuar The Guardian.

Hulumtimi, i realizuar nga studiues të katër universiteteve britanike, u bën thirrje autoriteteve të rishikojnë udhëzimet aktuale dhe të hetojnë më tej rreziqet që ekranet mund të paraqesin për foshnjat.

Sipas studiuesve, përdorimi i ekraneve në këtë moshë mund të ulë kohën që fëmijët kalojnë me prindërit, të kufizojë zhvillimin e gjuhës, të reduktojë lojën aktive me fëmijët e tjerë, si dhe të shkaktojë vështirësi me gjumin, mbingarkesë të trurit, probleme me shikimin dhe të rrisë rrezikun për mbipeshë.

Raporti nuk gjeti prova se ekranet shkaktojnë drejtpërdrejt çrregullime të zhvillimit, por studiuesit theksojnë se nuk ka asnjë përfitim të vërtetuar nga përdorimi i rregullt i tyre te fëmijët nën dy vjeç.

“Nuk rekomandojmë që fëmijët nën moshën dy vjeç të ekspozohen rregullisht ndaj ekraneve. Ani pse ekspozimi i rastësishëm është i pashmangshëm në jetën e përditshme, përdorimi i qëllimshëm vetëm sa rrit rrezikun, pa sjellë përfitime të rëndësishme për zhvillimin e tyre”, thuhet në raport.

Bashkëdrejtuesi i studimit, Rafe Clayton, pedagog i lartë në Universitetin e Leeds, ka thënë se shumë prindër, pa e kuptuar, po u krijojnë fëmijëve zakone jo të shëndetshme.

“Kjo duhet të ndryshojë. Për shkak të mungesës së udhëzimeve të qarta, prindërit po i mësojnë pa dashje foshnjat dhe fëmijët të krijojnë një marrëdhënie jo të shëndetshme me ekranet”, ka thënë ai.

Edhe profesoresha Carmen Clayton nga Universiteti Leeds Trinity ka kërkuar më shumë mbështetje për familjet.

“Qeveria duhet të gjejë mënyra më të mira për t’i ndihmuar prindërit të kuptojnë rreziqet e përdorimit të tepërt të ekraneve, pa i bërë ata të ndihen të gjykuar”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Rachel de Souza, Komisionerja për Fëmijët në Angli, ka thënë se udhëzimet aktuale nuk synojnë të zëvendësojnë vendimet e prindërve.

“Për fëmijët nën dy vjeç rekomandimi mbetet i qartë: ekranet duhen shmangur. Megjithatë, pranojmë se në disa raste, si komunikimi me familjarët përmes videotelefonatave ose aktivitete të kufizuara mësimore, përdorimi i tyre është pjesë normale e jetës së sotme”, ka thënë ajo.

Të ngjashme