Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia është ekstraduar mbrëmë nga Turqia, 19 vjet pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Avioni i linjës “Turkish Airlines”, ku ndodhej Haxhia ka mbërritur në “Rinas” në orën 20:07 dhe ai u shoqërua gjatë udhëtimit nga katër oficerë të Interpolit.
Fillimisht Izet Haxhia është shoqëruar nga një grup i Drejtorisë së Burgjeve për në Komisariatin e Rinasit, ku zyrtarisht u bë dorëzimi i tij nga pala turke.
Ai më pas do të shoqërohet nga forcat e policisë në ambientet e burgut 313. Mësohet se asnjë prej familjarëve, por edhe as avaokati i tij Fran Dashi nuk kanë qenë në Rinas për ta pritur.
Haxhia u vetëdorëzua një muaj më parë në policinë turke dhe lajmin e bërë vetë të ditur përmes rrjeteve sociale.
Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë. Ai ka deklaruar se vjen në Shqipëri me idenë për rihapjen e dosjes, megjithatë nuk dihet nëse gjykata do ta marrë parasysh kërkesën e tij.
E vërtetuar është gatishmëria e Ministrisë së Drejtësisë për të garantuar rihapjen e dosjes së Haxhias, që pritet të pasurohet me zhvillime të reja, të cilat mund të trazojnë politikën shqiptare.
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet nga Turqia, Izet Haxhiaj, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje Nga Specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar:
Izet Haxhiaj, 52 vjeç, lindur në Babinë, Tropojë.
Shtetasi Izet Haxhiaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim penal nr. 316, datë 29.04.2002 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79/c-25, 78-25 dhe 78-25/22 të Kodit Penal.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datë 12.09.1998, rreth orës 21:15, pranë ish selisë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë, janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. H., deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi B. Ç. truproja e tij dhe është plagosur rëndë shtetasi tjetër Z. N.
Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Izet Haxhiaj, ka qenë një prej autorëve të kësaj ngjarje.