Ministria e Financave ka mbajtur sot tryezën me palët e interesit për prezantimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të diskutohen me palët e interesit ndryshimet ligjore dhe modalitetet e zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ligj i cili ka hyrë në fuqi me datë 15 qershor 2016 dhe i cili është i rëndësisë së veçantë për luftimin e pastrimit të parave, veprave të ndërlidhura penale dhe financimin e terrorizmit, si dhe funksionimin e rregullt të masave parandaluese nga subjektet raportuese siç janë të përcaktuara me këtë ligj të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në luftimin e këtyre dukurive.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se pastrimi parave dhe financimi i terrorizmit janë një fenomen global që nuk njohin as komb, as fe, as autoritar.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për implementimin e standardeve ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Për të qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare të këtyre dukurive negative ne duhet të tregojmë përkushtimin tonë si organet e rendit të drejtësisë dhe organet tjera që të jemi pjesë e partneritetit ndërkombëtarë në këtë fushë. Andaj, për këtë arsye, ne kemi bërë ndryshimet ligjore me qëllim që të jeni në hap me vendet e tjera në luftën kundër këtyre fenomeneve. ”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Lulzim Ismajli, tha se BQK-ja në kuadër të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, ka dhënë dhe vazhdon të jep kontribut të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale, kundër pastrimit dhe financimit të terrorizmit.
“Ne kemi qenë pjesë aktive në hartimin dhe zbatimin e disa strategjive nacionale në drejtim të ekonomisë jo-formale, si strategjia kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimet financiare, strategjia kundër krimit të organizuar, strategjia kombëtare kundër terrorizmit”.
“Si institucion do të vazhdojmë të jemi pjesë aktive në secilën fazë strategjike dhe ligjore me qëllim të fuqizimit luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në nivel kombëtarë”, ka thënë Ismajli.
Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Sakip Imeri, ka thënë se ATK-ja është një prej institucioneve kyçe që ka përgjegjësi ligjore në bashkëpunimin ndërinstitucional të kontribuojnë në zbatimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
“Roli kyç i Administratës Tatimore është në ofrimin e informatave, ofrimin e kompetencës profesionale për analizat e informatave nga njësia e inteligjencës financiare dhe trajtimin e këtyre informatave dhe raporteve për qëllime të vlerësimeve tatimore që është institucion i specializuar për këtë çështje”, theksoi Imeri.