Po hyjmë në ditët që ua dedikojmë kandidatëve për deputetë. Por edhe pse ditët në vijim do t’ua dedikojmë dëgjimit të tyre, jo çdo gjë ka të bëjë me kandidatët. Ka të bëjë në radhë të parë me vetë ne.
Në parim, kandidatin është lehtë ta identifikosh. Ka tri shtylla bazë që atë e bëjnë të njohur në mesin tonë. Ose nga prezenca e tij e vazhdueshme rreth një kauze politike e komunitare, ose nga dezertimi përballë përfaqësimit politik në çdo kauzë. Ose nga rrëmbimi që të bën me fuqinë e argumenteve e fjalëve në parlament, në rrugë e në takime, ose nga heshtja e plotë në ulëse të parlamentit dhe shikimi i punëve të veta, ani pse ka mandat për publiken, e rrjedhimisht për Republikën. Ose nga vrapimi që bën pas teje në kohë fushate për t’i dhënë mbështetje, ose nga vrapimi i vazhdueshëm në përditshmëri, për të na dhënë mbështetje.
Por kandidatin, nuk mjafton që thjeshtë ta identifikojmë. Atë duhet edhe ta njohim. Pasi ta kemi njohur, gjithsesi se do vijmë në tre përfundime themelore.
Së pari, nëse ai është (pretendon të jetë) superior ndaj nesh, s’na duhet, sepse edhe ashtu nuk i përgjigjet përfaqësimit të rrethanave tona të përditshme. Së dyti, nëse është inferior ndaj nesh, s’na duhet, sepse edhe ashtu nuk mund të na përfaqësojë në nivelin e duhur. Së treti, nëse është si ne, nga mesi ynë, ky me gjasë është zgjidhja për të cilin do përcaktohemi më lehtë.
Përcaktimi është akt por ka pasojë. Për të qenë akt i vlefshëm, të cilit ia dimë pasojat dhe pajtohemi me to, na duhet perspektivë që përveç konceptit tradicional ku thuhet se vota është besim, tashmë të vijë në rend të parë edhe dimensioni votës si investim.
Për të investuar në diçka, zakonisht ka katër kritere themelore:
a) Së pari, duhet që investimi të bëhet në diçka që ekziston dhe ka gjasë të ekzistojë për një periudhë të qëndrueshme. Kështu garantohet se vlera e investimit do të rritet.
b) Së dyti, duhet të ketë një arsyeshmëri të plotë durimi. Për të kërkuar më mirë, duhet dhënë më shumë dhe menjëherë, që të marrim nga pak e në mënyrë afatgjatë.
c) Së treti, për të qenë të sigurt në investim, duhet të shohim nëse ajo në çfarë investojmë ka plan operativ. Nuk na leverdisë të investojmë në dëshira por në plane. Dëshirat s’kanë matës, ndërsa planet po.
d) Së katërti, për të bërë një investim të duhur, duhet shikuar vlera e përhershme e asaj në çfarë duam të investojmë, më shumë sesa vlera aktuale që ia përcakton tregu. Kjo ka të bëjë me atë që na jep identitet e dinjitet, përtej asaj çfarë mund të vlejë vetëm si vlerë dhe interes i përkohshëm.
Mbi këto parametra të thjeshtë, qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin më lehtë se ku do ta besojnë dhe investojnë votën e tyre.
Kandidatë me këto tipare ka në të gjitha anët. Por janë vetëm pesë prej tyre që qytetarët do t’i zgjedhin brenda një liste. Prandaj në këto zgjedhje, koha është të investohet mençur.
Formula është e thjeshtë: aty ku ka dëshmi për angazhim, ku asgjë s’ka perënduar si mundësi por mundësia është në formim e sipër, ku puna matet e nuk flitet, ku ka plan e jo dëshira, aty është siguria për besimin dhe investimin që sot ju duhet qytetarëve.