Barcelona ka fituar ndaj Real Madridit me rezultat 2-3 në kuadër të turneut International Champions Cup.
Kjo ishte miqësorja e parë pas 26 vitesh mes dy klubeve spanjolle dhe e para që u luajt ndonjë herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Katalunasit ishin më të mirë dhe në fund ishte një fitore e merituar për djelmoshat e Ernesto Valverdes, të cillt këtë miqësore duket se e kishin marrë më seriozisht se kundërshtarët.
Goli i parë erdhi nga Lionel Messi në minutën e tretë, ndërsa nuk vonoi Ivan Rakitiq për 0-2 në minutën e shtatë.
Epërsia u ngushta nga Mateo Kovaçiq me një gol të bukur në minutën e 14-të, ndërsa Reali barazoi rezultatin pas një kundërsulmi 13 sekondësh dhe prej tre pasimesh që në fund u finalizua nga Marco Asensio në minutën e 36-të.
Goli i fitores u shënua nga Gerard Pique pas asistimit nga Neymar në minutën e 50-të.
Më pas, edhe pse skuadrat sulmuan deri në fund, rrjetat mbetën të paprekura.
Në këtë takim nuk luajti Cristiano Ronaldo.