“Eldorado Gold” pezullon investimin miliarda dollarësh në Greqi

Prishtinë | 11 Sht 2017 | 20:01 | Nga

Kompania kanadeze “Eldorado Gold”, ka paralajmëruar pezullimin e një investimi shumë të madh në Greqi, që synon në zbulimin dhe shfrytëzimin e rezervave të arit në vend.

Kompania ka thënë se shkak për këtë vendim janë vonesat në miratimin e lejeve përkatëse nga ana e qeverisë greke.

Presidenti i “Eldorado Gold”, George Burns, deklaroi të hënën në Athinë se vendimi përfundimtar për tërheqjen nga Greqia do të merret brenda dhjetë ditëve.

Nëse problemi nuk zgjidhet deri më 22 shtator, atëherë minierat do të mbyllen dhe punonjësit do të largohen nga puna.

“Nuk është një vendim u mor me zemër të lehtë. Ftoj qeverinë greke që të marrë parasysh mijëra punonjësit grekë të kompanisë, por dhe vetë vendin”, tha gjatë konferencës për shtyp zoti Burns.

Si një nga investitorët më të mëdhenj në Greqi, me investime që arrijnë 1 miliard dollarë, “Eldorado Gold” ka disa miniera në gadishullin e Halkidikisë dhe në zonën e Thrakës.

Por qysh në fillim të këtij investimi, disa vite më parë, projekti ka ndeshur në kundërshtimin e fortë të një pjese të komunitetit lokal, që mbështetej edhe nga SYRIZA, që ndodhet sot në pushtet. Kundërshtimet kanë qenë shpeshherë të dhunshme.

Një nga aktet e para të qeverisë Tsipras, ishte pezullimi i licencave të Eldorado Gold, në shkurt 2015.

Eldorado thotë se gjykata administrative ka nxjerrë 18 vendime në favor të kompanisë, megjithatë procesi i zhbllokimit të licencave nuk ka avancuar.

“Është e pamundur që miratimi i licencave të jetë peng i qëllimeve politike apo i pikëpamjeve të një minorance verbale”, tha në konferencën për shtyp presidenti i Eldorados.

Nga ana e vet, Ministri grek i Energjisë, Jorgos Stathakis, deklaroi se Eldorado nuk ka respektuar rregullat e kontratës dhe se ministria ia ka çuar çështjen arbitrazhit, ku procedurat pritet të fillojnë më 15 shtator.

Ministri sulmpoi kompaninë kanadeze, për të cilën tha që “është e qartë se nuk është mësuar të funksionojë në vendet europiane”.

Vendimi i kompanisë kanadeze u publikua vetëm pak orë pasi kryeministri Aleksis Tsipras kishte deklaruar se nën qeverisjen e vet Greqia ka thyer çdo rekord sa u përket investimeve të huaja.

Shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, reagoi mjaft ashpër, duke akuzuar qeverinë se “me cinizmin e vet luan lojëra politike në dëm të njerëzve të thjeshtë, që humbasin vendet e punës, ndërsa vazhdon të traumatizojë imazhin e vendit”.

Lidhja e Industrialistëve të Greqisë së Veriut, i dërgoi të hënën një letër kryeministrit Tsipras, ku kërkon ndërhyrjen e tij personale.

“Duke përfshirë edhe privatizimin e minierave, investimi i Eldorado Gold në Greqi arrin në 3 miliardë dollarë”, theksojnë industrialistët, duke vënë në dukje se projekti ndihmon maksimalisht ekonominë lokale, por edhe në përgjithësi ekonominë greke.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme