Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama shpalli emergjencën për furnizimin me energji elektrike ndërsa sot pritet të bëjë publik planin e posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike që ka prekur vendin tonë.
Në një vendim të Këshillit të Ministrave theksohet se shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Sipas këtij vendimi, këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Siç shkruan Tch, Edi Rama në një konferencë njoftoi se sot do të bëjë planin për të përballuar situatën e krizës energjetike.
“Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën e furnizimit të energjisë elektrike. Vendimi është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse e çmimit në energjisë në tregjet ndërkombëtare. I jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumentet financiare, qoftë me instrument të natyrës administrative. Me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik”, tha Rama.