Zyrtarë të Gjykatës Speciale kanë thënë se me emërimin e kryeprokurorit Jack Smith puna e kësaj Gjykate do të vazhdojë normalisht, pa ndonjë vonesë. Ndërsa njohësit e çështjeve juridike thonë që kryeprokurorit të ri do t’i duhen disa muaj deri kur mund të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para
Përfundimi i mandatit të kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara, David Schwediman, dhe procedurat për emërimin e kryeprokurorit të ri kanë bërë që puna e kësaj Gjykate Speciale të zvarritet edhe më tej.
Të paktën kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve juridike, të cilët thonë se kryeprokurorit Jack Smith do t’i duhet ndoshta edhe një vit deri te ngritja e aktakuzave të para.
Christopher Bennett, zëdhënës në Zyrën e Prokurorit Special, ka thënë për “Zërin” se Prokuroria do ta vazhdojë punën nën udhëheqjen e kryeprokurorit të ri Jack Smith me të njëjtin intensitet sikurse me ish-prokurorin Schwendiman.
“Prokuroria Speciale ka vazhduar punën e saj nën udhëheqjen e Kwai Hong Ip që nga largimi i David Schwendimanit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në ardhjen e Smithit, emërimi i të cilit sapo është shpallur. Detyra e prokurorit special është dhe gjithmonë ka qenë me zell, me integritet dhe me dinjitet të kryejë një hetim efektiv, të shpejtë dhe të sjellë çdo padi në gjykim menjëherë. Kjo nuk do të ndryshojë”, thuhet në përgjigjet e Bennettit.
Ndërkohë, i pyetur rreth kohës se kur mund të nisin aktakuzat e para, Bennett nuk ka dhënë detaje.