Emërimi i Ardita Sinanit nga kryeministri Kurti si këshilltare politike për Luginën e Preshevës u përcoll me kritika për faktin se Sinani bart edhe funksion partiak në Luginë konkretisht atë kryetares së degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë. Ish-kryetarja e Preshevës, nuk e pohoi e as mohoi nëse do të japë dorëheqje nga posti partiak pas angazhimit në zyrën e Kurtit. Sinani tha se me rëndësi është të funksionalizohen institucionet sepse emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen.
Kryetari aktual i Preshevës, Shqiprim Arifi, që nga distanca është “konfrontuar verbalisht” me shefin e qeverisë kosovare e quajti budallaki të Kurtit emërimin e Sinanit këshilltare politike.
“Unë nuk e shoh si luftë sepse varet prej perceptimit. E shoh si një budallaki nga Qeveria Kurti, dhe edhe njëherë po e them drejt, Albini është viktimë e Liburn Aliut”, ka thënë Arifi.
E kontaktuar nga Gazeta Express, ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, nuk tregoi nëse do ta lë jetën partiake në Luginë pas angazhimit në qeveri.
Ajo u shpreh se emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen dhe se me rëndësi është të funksionalizohen institucionet.
“Është e rëndësishme që tashmë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës. Pas buxhetimit të Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës, funksionalizimi i këtij mekanizimi qeveritar të Republikës së Kosovës fuqizon institucionalizimin e trajtimit të Luginës së Preshevës edhe si punë sistematike shtetërore. Emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen, me rëndësi është të funksionalizohen dhe zhvillohen institucionet. Pra, që tashmë kemi zyre si Luginë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Të punojmë bashkërisht për ta zhvilluar”, tha Sinani.
Sinani tha gjithashtu se Zyra për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë do të jetë adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës.
“Krijimi dhe funksionalizimi i infrastrukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administrativ është praktikë e shteteve demokratike; evropiane dhe përtej. Ka 20 vjet që Beogradi e ka zyrë, buxhet dhe plan e program për Luginën e Preshevës, madje edhe për Kosovën (serbët e Kosovës). Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës. Jemi në shërbim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pa përjashtim. Lugina e Preshevës ka probleme të shumta për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike. Rrjedhimisht bashkërendimi i Republikës së Kosovës me Luginën e Preshevës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Të ecim tutje për t‘i përmirësuar dhe përparuar të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve në Luginën e Preshevës”, tha ajo.
Kryeministri Kurti emërimin e Sinanit si këshilltare politike për Luginën e Preshevës e cilësoi si hap të parë për themelimin e Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Për këtë reagoi deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se Kurti po provon të promovojë ide të reja të cilat janë implementuar nga qeveria Hoti para dy vitesh, sikur kjo me Zyrën për Luginën.
Ish-zëvendëskryeministri Selmanaj tha se më 28 shtator 2020, Qeveria e Kosovës më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre.