Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka emëruar dy juritë vlerësuese për projektet që kanë aplikuar për mbështetje financiare në konkursin e këtij viti.
Juria e cila do t’i vlerësojë filmat e metrazhit të gjatë artistik, debutant dhe bashkëprodhimin minor përbëhet nga: Isa Qosja, regjisori i njohur kosovar i cili pati suksese të shumta me filmin “Tri Dritare dhe një Varje”; kritiku i filmit si dhe drejtori i Festivalit të Cottbus, Bernd Buder; producentja e filmit “Once upon a time in Anatolia”, Zeynep Atakan; shkrimtari Ramadan Musliu; producenti Dritan Huqi; drejtor fotografie Sevdije Kastrati dhe regjisori Artur Tahiraj.
Kurse juria e cila do t’i vlerësojnë projektet e filmit të metrazhit të shkurtër – artistik, filmit të gjatë dhe të shkurtër dokumentar, filmit të shkurtër të animuar, si dhe zhvillim skenari përbëhet nga: drejtori artistik i festivalit DokuFest – Veton Nurkollari; aktorja Rebeka Qena, regjisori Florent Mehmeti, aktori Eshref Durmishi, shkrimtari Adil Olluri, dramaturgu Jahi Jahiu si dhe regjisori Ilir Kabashi.
Janë rreth 50 projekte filmike të cilat do të vlerësohen nga juria këtë vit.