Projeksionet globale mbi popullsinë parashikojnë një rënie drastike të popullsisë në Shqipëri, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë do të jetë 1 754 540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale 2.9 milionë.
Në piramidën e popullsisë, krahas uljes së theksuar të numrit, thuhet se do të ketë një përkeqësim të vitalitetit të popullsisë. Ajo tregon se më 2100 gati një e treta e personave do të jenë mbi 60 vjeç, ndërsa do të ulet ndjeshëm numri i lindjeve.
Emigracioni është një ndër shkaqet e përkeqësimit. Të dhënat e OKB-së tregojnë se nga viti 1990 ka emigruar 20 për qind e popullsisë së vendit, shumica në Greqi dhe Itali.
Mediat në Tiranë raportojnë se sipas të dhënave të fundit të Instat-it, aktualisht rreth 13 % e popullsisë është mbi 65 vjeç, ndërkohë është ulur treguesi i lindshmërisë në 1.7 fëmijë për grua.