Emmerson akuzon ZPS-në për çështjen e nxjerrjes së materialeve, thotë se nuk ka asnjë provë kundër Veselit

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për çështjen e nxjerrjes së materialeve. Ai ka thënë se është mënyrë e pa organizuar dhe kaotike se si bëhet kjo dhe se po pengohen hetimet.

Ai ka thënë se mund të jenë dy arsye prapa kësaj, një se ata që janë në Prokurori janë jokompetent për këtë punë, e që thotë se dyshon, dhe se e dyta është se kjo bëhet qëllimshëm vetëm për të dënuar me çdo kusht të akuzuarit.

Ai ka shtuar se po duhet të lexohet grumbulli i provave që është dorëzuar në mënyrë kaotike.

Ka thënë se në to përmenden 34 vendngjarje krimesh të pretenduara nga Prokuroria, dhe se secila prej tyre ka kronologjinë e vet, dhe se asnjëra nuk është analizuar siç duhet nga Prokuroria.

“Janë 34 vendngjarje të ndryshme ku pretendohet nga Prokuroria se janë kryer krime dhe se në asnjë prej tyre nuk përmendet se ishte i pranishëm klienti im Kadri Veseli”, ka thënë Emmerson, që ka shtuar se po pengohen hetimet e mbrojtjes, ndërsa ka thënë se është duke punuar një grup hetuesish të angazhuar nga ekipi i tij që nga janari me çështjen e materialeve.

Emmerson ka shtuar se Prokuroria është fokusuar që të dënohen patjetër të katër të akuzuar dhe të paraqitet grupi si një ndërmarrje kriminale e organizuar.

 “Ka ardhur koha që Gjykata ta merr në dorën situatën dhe t’i shtrojë prokurorisë pyetje se pse po e bën kaq të vështirë punë e mbrojtjes. Prokuroria siç duket ende se ka kuptuar se çfarë çështjes do të ngre dhe si pret që mbrojtja të fillojë punën e saj, kur nuk e ka thënë qartë se cilat prova do përdoren”, ka shtuar Emmerson. 

Të ngjashme