Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria – nderi i kombit”, ka ftuar në Prishtinë të gjithë shqiptarët që mbajnë emrin me prejardhje nga krahina shqiptare e Labërisë.
Pjesë e këtij aktiviteti kulturor ishin shumë persona me emra, si: Labërie, Labe, Vlora, Saranda, Vlonjat, Gjirokastrit, Vjosa, Shqiponjë etj., raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, theksoi se këta emra janë mesazh i madh që tregojnë se shqiptarët janë një gjak e një komb.
Ai bëri të ditur se mbi 7 mijë vajza mbajnë emrin Vlora dhe kjo sipas tij tregon se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë te ndarë, por të bashkuar.
“Si pjesë e rëndësishme e Labërisë është edhe Vlora, mbi 7 mijë vajza kanë emrin Vlora. Kjo tregon se asnjëherë s’kemi qenë të ndarë, kemi qenë të bashkuar. Këta emra janë mesazh i madh që ne jemi një gjak, një komb. Labëria është shumë e madhe, është një treve atdhedashëse me histori të madhe, duhet të jeni krenarë për këta emra që keni dhe do të bëheni edhe më kranarë kur të vizitoni ato vise”.
Minxhozi ka treguar një histori interesante të tijën me një shqiptar nga Kosova, i cili pasi kishte qëndruar në Labëri, kishte pagëzuar më pas vajzën e tij me emrin “Labërie”.
“Kam një histori te veçantë. Kisha vetëm katër ditë që erdha në Kosovë dhe desha të rregullojë diçka në shtëpi dhe erdhi një ustah dhe më tregoi që ka qenë një herë në Labëri. I ishte prishur makina atje dhe kishte shkuar në fshat, kishte kaluar natën atje dhe të nesërmën ishte kthyer në Kosovë. Pas dy muajsh ishte bërë me vajzë dhe ia kishte lënë emrin Labëria”.
Ago Nezha, kryetar i shoqatës “Labëria”, ka falënderuar qindra familje nga Kosova që kanë emëruër fëmijët e tyre me emra nga Labëria. Këta emra sipas tij janë vlerë dhe trashëgimi kulturore atdhetare.
Nezha deklaroi se emrat dhe gjuha janë pasuri kombëtare të cilat duhet të ruhen me fanatizëm, por sipas tij këto dy elemente janë të cenuara sot në Shqipëri, sepse sipas tij po ka cdo herë e më shumë emra italianë dhe të vendeve tjera.
Nezha tutje deklaroi se krahina e Labërisë e ka përkrahur fuqishëm luftën e UCK-së për clirimin e Kosovës përmes dërgimit të kuadrove ushtarak.
“Jemi sot në një takim unikal për të nderuër këta persona që janë në sallë dhe jo vetëm, në Kosovë, Shqipëri. Ju e meritoni të iu nderojmë dhe falënderojmë prindërit që ju vunë emra patriotik nga Labëria. Ne si krahinë ndihemi krenarë që qindra familje nga Kosova kanë nderuar me emrat nga Labëria. Kosova ka pasur nostalgji për Shqjpërinë por edhe ajo për të. Patriotizmi ka filluar të bjerë si pasojë e rrymave të globalizmit. Emrat dhe gjuha janë pasuri kombetare që duhet të ruhen me fanatizëm, por këto të dyja janë cenuar rëndë në Shqipëri, aty gjen emra italianë etj. Emrat tuaj janë traditë e vlerave të popullit tonë si trashëgimi kulturore atdhetare. Labëria ka përkrahur fuqishëm luftën e UÇK-së dhe ka dërguar kuadra ushtarak në ndihmesë të saj”.
Nezha bëri të ditur se Shoqata “Labëria” është gjithkombëtare dhe në përbërje të saj ka profesre e doktorë shkencash.
Akademik Rexhep Qosja, kryetar nderi i kësaj shoqate, tha se emrat janë pasuri jashtëzakonisht e madhe e një populli, pasi sipas tij ata mbajnë vulën e kulturës, historisë dhe traditave.
Qosja ka inkurajuar shoqatën “Labëria” që të organizojë një konferencë shkencore në të cilën studiues shqiptarë do të merreshin me rëndësinë e emrave në kombin shqiptar.
“Emri është shenjë e rëndesishme e veçantisë së lirisë me të cilën dallon prej njerëzve dhe popujve të tjerë. Emri është dokument në saje të cilit ecim, lëvizim e ekzistojmë në kohë e hapësirë. Emrat janë pasuri e madhe e krjimtarisë popullore e gjuhës e kulturës. Emrat mbajnë vulën e kulturës historisë, traditave, adeteve, psikologjisë e filozofisë së popullit. Emrat na tregojnë çka duam dhe kë duam ne, sa e duam atdheun, sa i duam luginat, fushat, lumenjtë”.
“Emrat na tregojnë kush jemi, çka jemi dhe çka duam dhe çka s’duam. Për shkak të këtyre, emrat konsiderohen pasuri jashtëzakonisht e madhe e një populli. E falenderoj shoqatën që na takoi sot duke na vënë përpara rëndësinë e emrit në përgjithësi. E uroj shoqatën që të frymëzojë një konferencë shkencore në të cilën studiues shqiptarë do të merren me rëndësinë e emrit për të kaluarën e të sotmen e kombit shqiptar”.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe dy vajza me emrin Saranda.
Saranda Kuleta nga Prishtina, e cila ka qenë në mesin e 40 vajzave me emrin Saranda që kanë vizituar para pak kohësh Shqipërinë, tha për Ekonomia Online, se ky aktivitet është mundësi e mirë të takohen vajzat dhe djemtë nga trojet shqiptare.
“Kam ardhur këtu sepse bëhet mbledhja e të gjithë emrave të pjesës jugore të Shqipërisë, dhe ka një domethënie sepse ne përveç emrave që i mbajmë si simbolikë e Shqipërisë, bëhet edhe bashkimi i djemëve dhe vajzave shqiptare”.
Ndërsa edhe Saranda Provoliu u shpreh e lumtur që është pjesë e këtij aktiviteti. Ajo tha se ka dëgjuar që do të mbahet ky takim dhe pa hezitim është bërë pjesë e tij.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër te vitit të Skënderbeut, 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Kuvendit të gjashtë të shoqatës “Labëria”.