Ka kaluar gati një muaj që kur komandanti shqiptar në ISIS, Lavdrim Muhaxheri nga Kaçaniku, u shpall i vdekur, raporton KTV.
Vrasja e tij u bë publike nga familjarët, të cilët hapën edhe të pame në Kaçanik, pavarësisht se ai ishte shpallur i vdekur edhe më herët.
Sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, konfirmimi i vdekjes së Muhaxherit, duhet të merret me prioritet nga institucionet e Kosovës.
Njëjtë si Lavdrim Muhaxheri, i vdekur është shpallur edhe komandanti tjetër i ISIS-it, Ridvan Haqifi.
Për asnjërin prej tyre, nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar se janë vrarë në zonat e luftës në Siri e Irak, për shkak të situatës në këto shtete.
Në Policinë e Kosovës, thonë se kanë informacione për vrasjen e tyre, mirëpo, nuk kanë dokumentacione zyrtare.
“Policia e Kosovës posedon informacione kredibile, në të cilat pohohet se L.M. dhe R.H. janë vrarë në zonat e konfliktit. Deri tash ju konfirmojmë se më shumë se 64 kosovarë janë vrarë në zonat e konfliktit. Megjithatë, për asnjë të vrarë nuk kanë pushuar hetimet për arsye se nga zona e konfliktit nuk mund të sigurohen dokumentacione zyrtare”.
Është raportuar se Lavdrim Muhaxheri është vrarë më 8 qershor të këtij viti, derisa Ridvan Hahiqi, i njohur si ‘Al Kosova’ është vrarë gjatë luftimeve në Siri e Irak në fillim të vitit.