Endokrinologu i reagon Arbër Morinës, i kërkon të mos u jep shpresa të rreme pacientëve

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 14:35 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një status i publikuar në rrjetin social “Facebook”, nga kirurgu abdominal Arbër Morina i cili pretendon se sëmundja e diabetit apo siç njihet ndryshe sëmundja e sheqerit mund të shërohet me metoda kirurgjike, e duke i thënë lamtumirë insulinës dhe medikamenteve ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Në shkrimin e tij, Morina tha se sëmundja e sheqerit dhe Obeziteti morbid ose trashja mbinormale, tashmë shërohen përjetësisht me një teknik minimale invazive me 99% sukses.

“Diabeti Mellitus Tip 2 (Insulinë dhe Jo insulinvartës) ose sëmundja e ‘sheqerit’ dhe Obeziteti morbid ose trashja mbinormale, Tashmë shërohen përjetësisht me një teknik minimale invazive me 99% sukses”, ka shkruar Morina.

Kirurgu në fjalë ka kërkuar edhe nga të gjithë qytetarët që kanë familjarë me këtë sëmundje që të drejtohen tek ai derisa numrin e tij e ka bërë publik në postimin e tij.

Ekonomia Online gjatë gjithë ditës ka provuar të marrë një prononcim nga kirurgu Morina, por ai nuk iu është përgjigjur kërkesave tona.

Pas njoftimit të kirurgut Morina pasuan reagime të shumta.

Elton Bahtiri, specialist i Endrokrinologjisë, thotë për Ekonomia Online se sëmundja e diabetit Mellitus është duke u shpeshtuar në të gjithë botën.

Ai tha se mjekët nuk guxojnë t’u japin shpresa të rreme pacientëve.

“Ne si mjek duhet të jemi të kujdesshëm në terminologjinë që përdorim në ato shprehje që përdorim sepse mund t’iu japim pacientëve shpresa të rreme dhe pastaj kur ballafaqohen me realitetin zhgënjehen akoma më tepër”.

“Sigurisht që edhe ne edhe komuniteti mjekësor shkencor në të tërë botën është në kërkim e sipër  të një kure shërimi për diabetin, por në bazë të njohurive që kemi në dispozicion nuk mund të themi që sëmundja e sheqerit është e shërueshme, aq më pak jo me një procedurë të tillë kirurgjike. Këto procedura kirurgjike me sa kam pa unë ato variojnë prej më të lehta siç është vendosja e një balloni në lukth që e zënë volumin e lukthit dhe pamundëson marrjen e ushqimit deri këto më radikale kur largohen pjesë të lukthit ose edhe të zorrëve”.

Bahtiri tha se nuk duhet të dilet në publik me pretendime të tilla e aq më pak në Kosovë ku ka deficit të madh në trajtimin e shumë sëmundjeve.

“Për të përmbledhur këtë punën e shërimit sigurisht që në tërë botën është në kërkim të kurës, më shumë është orientimi nga ai që quhet pankreas artificial, ndoshta në një të ardhme jo fort të largët do ta kemi këtë kurë për sëmundjen e sheqerit, por për momentin nuk e kemi dhe është tepër iluzore që të dilet me pretendime të tilla në një vend si Kosova ku ka deficit të madh në trajtimin e plot sëmundjeve dhe sa i përket këtyre noviteteve jemi akoma më mbrapa”.

Sipas tij, tani edhe kur të jetë kryer një procedurë e tillë, trajtimi i pacientit përkujdesi për pacientin është multidisiplinare.

Ai tha kirurgu e kryen vetëm një pjesë të punës, e kryen atë pjesën kirurgjike, po pacienti me diabet më nuk drejtohet tek kirurgu.

“Nëse do të ishte e shërueshme më së fundi do të na vinte neve në Kosovë rendi për të folur për një sëmundje të tillë, nuk do të ishim të parët që proklamojmë diçka të tillë. Edhe nuk është risi, kjo qasje e tillë kirurgjikale aplikohet në 20-30 vitet e fundit nëpër botë”.

“Nuk ju garanton shërimin, as afatshkurtër as afatgjatë e para dhe e dyta ata mund të kenë pasojat të më pastajme sepse është procedurë radikale kjo është kirurgji”.

Bahtiri tha se kjo mund të rezultojë si shpresë e rreme për pacientët dhe dhënia e një lajmi të tillë mund të jetë rënduese për këta pacientë.

“Meqenëse sëmundja e sheqerit po kërkon trajtim afatgjatë me vite me dekada dhe ky trajtim ndonjëherë është me hapa, me insulinë, ndonjëherë kombinim i të dyjave mund të jetë bezdisëse për pacientin, mund të jetë rënduese për pacientin dhe dhënia e një lajmi të këtillë mund të duket për ta si një rreze drite, si një shpresë në fakt që paska shërim sëmundja e sheqerit”.

“Por, duhet të jemi të vëmendshëm edhe ne si komunitet mjekësor edhe pacientët. Kjo mund të rezultojë si shpresë e rreme sepse pacientëve mund të mos ju humbet pesha, as kjo fillestarja për të cilën kryhet ndërhyrja, ndërsa sëmundja e sheqerit mund të mos rregullohet fare hiç”, tha ai për Ekonomia Online.

Sipas Bahtirit, është edhe një fakt tjetër që nuk përmendet e ajo është pjesa financiare.

“Është edhe një aspekt tjetër që hiç nuk po përmendet. Kirurgjia gjithmonë kushton. Ndërhyrjet kirurgjike kushtojnë gjithkund në botë. Duket që është si promovim mediatik po si promovim më tepër spekulativ me këto termet shërohet diabeti, largohen pacientët nga insulina dhe medikamentet, sepse në bazë të njohurive shkencore në dispozicion ne nuk mund të përkrahim diçka të tillë, nuk mund të themi se është e drejtë, është e qëlluar”.

Të ngjashme