Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka në një intervistë për Ekonomia Online tha se shpenzimet e energjisë elektrike në veri të vendit nuk mund të paguhen nga Fondi për veriun.
Pasi sipas tij, ky fond është për investime kapitale dhe jo për shpenzime operative, sikurse rryma.
“Jo nuk mund të paguhet sepse Fondi për veriun është i bërë për investime kapitale dhe kjo nuk është investim kapital por është shpenzim operativ”.
Lluka pagesën e energjisë elektrike për banorët në veri po e konsideron jo të barabartë karshi qytetarëve të vendit.
“Kjo nuk është në rregull edhe nga qytetarët e tjerë të Kosovës që ato taksa të shkojnë në veri të Kosovës, duhet me urgjencë që të punohet në këtë drejtim dhe të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e vendit. Janë disa forma dhe disa strategji që kanë qenë dhe janë në sirtarët e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik”.
Ai kërkon të punohet me urgjencë dhe të ketë bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet institucioneve të vendit për të gjetur një zgjidhje adekuate.
“Ne sa kemi qenë në Qeveri në vitin 2019 kemi arritur marrëveshje me Organizatën Evropiane të Transmisioneve një marrëveshje që është ekzekutua falë presionit ndërkombëtarë sidomos Qeverisë amerikane dhe asaj gjermane të cilët kanë arrit të bëjnë një marrëveshje për njohjen e kufijve energjetik”.
“Nëse deri tash është marr një pjesë e energjisë nga transmisioni ndërkombëtarë për ta furnizuar veriun me energji tash kjo më nuk ndodh dhe janë dy forma, forma e parë është për ta paguar me para të buxhetit dhe e dyta është për inkasimin në veri dhe unë mendoj që në veprim afatshkurtër është në rregull pagesa që është aprovuar nga Kuvendi për ta paguar në veri mirëpo nuk është në rregull që të vazhdojë tutje sepse duhet gjetur një strategji e qëndrueshme që të fillohen të inkasohen mjetet”, tha ai, raporton EO.
Me 61 votuar pro Kuvendi, ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, që KOSTT-it t’i mbulohen shpenzimet prej 11 milionë euro, për energjinë në pjesën veriore të Kosovës.