Energjia elektrike dhe kapaciteti për prodhimin e saj prej vitesh konsiderohen jetike për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Jo rastësisht epoka e zhvillimit industrial ndërlidhet ngushtë me hyrjen e energjisë elektrike në treg.
Sfidat e shumta drejt tranzicionit tek energjia e rinovueshme ka nxitur industritë e mëdha të fokusohen në diversifikimin e burimeve energjetike si prioritet kombëtar në terma afatëgjatë.
Sot, lufta në Ukrainë na dëshmon se sa e rëndësishme është energjia elektrike si aset tregtar.
Si shembull kemi shtetin Gjerman, i cili furnizohej me gazin rus e që arrinte mbi 55% të kapacitetit të përgjithshëm të konsumit sipas Eurostat-it, dhe me ndalimin e tij ekonomia gjermane pëson një tronditje të thellë, jo rastësisht sot kemi një ekonomi në recesion.
Edhe pse shteti Gjerman para konfliktit në Ukrainë startoj me tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme, sot ajo është e detyruar ti rikthej termocentralet me thëngjill për ta rikuperuar hendekun e lënë nga gazi rus.
Nëse kthehemi ca vite në kohë, me rastin e nënshkrimit të Konventës së Parisit për çështjen e ngrohjes globale, vendet më të zhvilluara ekonomikisht u dakorduan publikisht se do reduktojnë emetimet e gazit me të paktën 30%, deri në vitin 2030.
Fatkeqësisht, situata aktuale është më e komplikuar se sa parashikimet nga marrëveshja në fjalë.
Këtë na tregon raporti i agjencionit ndërkombtarë IAE, duke theksuar se kërkesa për energji elektrike është rritur përtej parashikimeve, konkretisht rritja këtë vit është dy herë më e lartë se një dekadë më parë.
Duke renditur motin më të nxehtë, rritjen e industrisë së inteligjenca artificiale, mihjen e kriptovalutave, por mbi të gjitha rritja ekonomike në SHBA, Kinë dhe Indi, vende këto që konsiderohen si konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike.
Jo rastësisht tregtia e gazit të lëngshëm ka shënuar rekorde të reja në treg, dhe ky është indikatori më i mirë se sa e rëndësishme është diversifikimi i burimeve energjetike, dhe cilat mund të jenë pasojat nga mungesa saj.
Me shkas, rikujtojmë projektin e implementuar nga Mali i Zi i cili në bashkëpunim me Italinë bën shtrirjen e tubacioneve me gjatësi 500 kilometra, e tëra nën det. Një projekt tejet i kushtueshëm financiarisht, por i domsodoshëm për stabilitetin ekonomik dhe energjetik.
Por ku qëndron Kosova si një nga vendet më të pasura me thëngjill, dhe pse ajo vazhdon të ketë probleme me energji elektrike?
Ditë më parë, kompania “Contour Global” fiton arbitrazhin me vlerë 22 milionë euro, si dëmshpërblim për shkak të pezullimit të kontratës ndërtimin e termocentraleve me kapacitet 500Mwv. Qeveria aktuale pezullon projektin, duke shpresuar në një ‘revolucion’ në energjinë e rinovueshme si zgjedhje përfundimtare, aplikimi i së cilës është në fillet e saja në rajon.
Përveç kësaj, Kosova ka pezulluar edhe një projekt të rëndësishëm që ka të bëjë me diversifikimin e energjisë elektrike, projekt ky sponsorizuar nga zyra amerikane, një pezullim i cili ka zhgënjyer shumëkë pasi që botërisht dihet se furnizimi me gaz sot është pjesë e shumë vendeve evropiane, dhe jo vetëm.
Projekti në fjalë do bënte Kosovën me burime shtesë, si dhe do eliminonte mungesën e energjisë elektrike për qytetarët e saj dhe bizneset që operojnë në Kosovë.
Pra, në vend që të kemi një plan afatgjatë të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik, ne kemi një retorikë boshe dhe një përplasje egosh mes ish-KM Haradinaj dhe këtij aktual Kurti. Dhe në vend që të kemi investime strategjike, ne kemi disa të burgosur nga Danimarka që na prezentohen si investime të huaja.
Ndërsa e tëra cfarë dëgjojmë janë akuza banale mes opozitës e pozitës, nga akuzat për korrupsion dhe nepotizëm e deri tek ajo për spiunazh, (thënë nga z.Haradinaj tek mediumi Ekonomiaonline).
Kjo na bën të kuptojmë se klasës politike i nevojitet një ri-edukim mbi rolet dhe përgjegjësitë që kanë, një hetim serioz për pretendimet që bëhen, si dhe për humbjet financiare që po i shkaktohen taksapaguesve kosovarë.
Jemi në një situatë krejtësisht absurde, ne kemi burime natyrore por nuk arrijmë ti përdorim ato, dhe në vend që të gjenerojmë fitime ne përfundojmë me humbje marramendëse, jo rastësisht mbetemi shteti më i pazhvilluar në rajon.
Si perfundim, duket se ka një keqkuptim thelbësor se cfarë nënkupton demokracia liberale dhe investimet kapitale. Ta themi troç, klasa politike kosovare nuk i jep llogari askujt për asgjë, dhe aferat korruptive mbulohen me pretekse banale dhe dështime ‘aksidentale’.
Përderisa retorika boshe dhe tensionet në rritje paraqesin një rrezik potencial që ta izolojë edhe më tutje Kosovën, duke dizintegruar rininë e saj dhe së bashku me të ikjen e trurit e cila po e shëndrron Kosovën në një oazë dëshprimi, ku realisht e vetmja gjë qe po funksionon deri në përfeksion është nepotizmi dhe korrupcioni, ndërsa gjërat tjera mbesin shumë zhurëm për asgjë.