Me mbrojtjen e varrezave hebraike të Prishtinës kujtojmë të kaluarën e lavdishme të kombit tonë

Prishtinë | 10 Pri 2025 | 09:44 | Nga Arif Ejupi

Lufta e Dytë Botërore (1 shtator 1939 – 2 shtator 1945) ishte njëra nga luftërat më të

tmerrshme në historinë e njerëzimit. Vetëm në Evropë humbën jetën mbi 24 milionë njerëz.

Nga kjo luftë tragjike më së shumti pësoi populli hebre. Ndaj tyre, udhëheqësi nazist Adolf

Hitler kreu gjenocid të tmerrshëm, pa kursyer burra, gra dhe fëmijë.

Në kampet famëkeqe të Auschwitz-Birkenau, Treblinka, Belzec, Sobibor, Majdanek dhe

Chełmno në Poloni, hebrenjtë u dogjën në furra industriale që dikur ishin përdorur për

përpunimin e metaleve.

Kjo periudhë e errët në historinë e njerëzimit njihet si Holokausti, plagë që ende trondit

ndërgjegjen botërore.

Sipas statistikave të Muzeut “Yad Vashem”, gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vrarë mbi 6

milionë hebrenj, fëmije, gra dhe burra.

Edhe pse vetë të mbërthyer nga pasojat e luftës dhe pushtimit, shqiptarët u bënë shpresë për

hebrenjtë. Të udhëhequr nga Kodi i Nderit dhe tradita e Besës, ata i strehuan, i mbrojtën dhe i

trajtuan si pjesëtarë të familjeve të tyre.

Sipas të dhënave nga Muzeu “Yad Vashem” në Izrael, qindra familje shqiptare rrezikuan jetën

për të shpëtuar hebrenjtë nga ndjekjet naziste. Ata nuk bënë dallime fetare apo etnike, për ta,

solidarizimi me të përndjekurit ishte detyrë morale dhe njerëzore.

Ky akt fisnik nuk ishte vetëm i popullit, por edhe i shtetit shqiptar të asaj kohe. Mbreti Ahmet

Zogu kishte urdhëruar të gjitha ambasadat dhe konsullatat shqiptare në Evropë që t’i pajisin

hebrenjtë me dokumente shqiptare, për t’i shpëtuar nga shfarosja.

Falë këtij vendimi të guximshëm dhe njerëzor, shumë hebrenj gjetën strehim në Shqipëri e

Kosovë. Asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve, ndonëse Shqipëria dhe Kosova

ndodheshin nën kontrollin nazist të Hitlerit dhe Musolinit.

Ndryshe nga kjo sjellje fisnike e shqiptarëve, në disa vende të tjera të Ballkanit, përfshirë

Serbinë dhe Greqinë, autoritetet bashkëpunuan haptas me nazistët për identifikimin dhe

dorëzimin e hebrenjve drejt kampeve të vdekjes. Kjo është e dokumentuar në arkivat

ndërkombëtare dhe institucionet përkujtimore të Holokaustit.

Shqiptarët mbeten ndër të paktët në Evropë që dolën me fytyrë të pastër nga kjo periudhë e

errët, duke u treguar njerëz të besës, nderit dhe humanizmit.

Në Shqipëri dhe Kosovë deri vonë jetuan mbi 300 familje hebreje, të cilat me përkushtim

ruajtën traditat dhe kulturën e tyre.

Në Prishtinë ekzistojnë varrezat hebraike, që nuk janë vetëm vendpushimi i fundit i një

komuniteti të vogël, por simbol i një bashkëjetese të vjetër dhe të ndritur mes shqiptarëve dhe

hebrenjve.

Ato përfaqësojnë një dëshmi të gjallë të pranisë historike të hebrenjve në Prishtinë dhe të

tolerancës që shqiptarët kanë treguar ndaj bashkësive të tjera.

Mbrojtja dhe përkujdesja ndaj këtyre varrezave nuk është vetëm ruajtje e trashëgimisë

kulturore, por edhe një përulje ndaj së kaluarës sonë fisnike.

Në një kohë kur urrejtja, racizmi dhe ekstremizmi po rriten në disa pjesë të botës, kujtesa për

aktet humane të shqiptarëve duhet të qëndrojë e gjallë.

Institucionet tona, në bashkëpunim me organizata vendore e ndërkombëtare, duhet të kujdesen

me devotshmëri për varrezat hebraike të Prishtinës, njësoj siç duhet të kujdesemi për çdo

pjesë të historisë sonë kombëtare.

Sepse rëndësia e këtyre varrezave shkon përtej gurëve të ftohtë në to prehen dëshmitarët e

heshtur të një kapitulli të lavdishëm të popullit tonë.

Kujdesi për trashëgiminë hebraike në Kosovë nuk është vetëm çështje kulture, është akt i

ndërgjegjes sonë kombëtare. Një dëshmi se shqiptarët nuk u përkulën as atëherë kur bota

heshti.

Me këtë akt të dinjitetshëm, kombi ynë shkroi faqe të arta të fisnikërisë dhe humanizmit.

Dhe këto faqe simbolike të solidaritetit e lavdisë duhet të ruhen me krenari brez pas brezi.

Mbrojtja e varrezave hebraike në Prishtinë është ruajtje e nderit tonë historik. Sepse kur

kujtojmë me përulësi dhe krenari të kaluarën tonë fisnike, ndërtojmë me ndërgjegje të pastër

edhe të ardhmen.

Të ngjashme