Kongresmeni amerikan, mik i shqiptarëve, Eliot Engel, e ka quajtur të papranueshëm ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë.
Ai ka thënë se Franca duhet ta lirojë shpejt Haradinajn, ndërkaq i ka bërë thirrje Serbisë që të mos abuzojë me Interpol-in.
“Është e papranueshme që Serbia është duke abuzuar me Interpolin si objektiv ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Kjo nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit apo drejtësisë. Tribunalet ndërkombëtare kanë liruar zotin Haradinaj dy herë”, ka shkruar Engel në një letër të tij për medie.
Ai i ka ftuar autoritetet juridike të Francës që të përshpejtojnë procedurat dhe ta lirojnë Haradinajn sa më parë.
“Kapitulli 35 i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian flet qartë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Abuzimi që Serbia i bënë Interpol-it në raport me Kosovën është një shkelje fondamentale dhe BE-ja nuk duhej t’i lejojë Serbisë që të ecë drejtë BE-së pa normalizimin e raporteve me Kosovën”, ka shkruar Engel.
Ai ka thënë se SHBA-ja vlerëson miqësinë me Serbinë dhe shpreson se ky raport të avancojë.
“Sidoqoftë keqpërdorimi i Inetrpol-it nga ana e Serbisë do ta kthejë këtë proces mbrapa”, ka thënë Engel.