Engel në Shkup: Maqedonia e Veriut po ecën në shtegun e duhur

Prishtinë | 07 Kor 2019 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, kryetar i Komisionit për punë të jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, po qëndron për një vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Engel me bashkëshorten dhe përfaqësues të Ambasadës amerikane në Shkup u prit të shtunën në mbrëmje nga kryeministri Zoran Zaev.

Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit Zaev, Engel ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për integrimet dhe qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut.

Në njoftim thuhet se është vlerësuar se “Republika e Maqedonisë së Veriut po ecën në shtegun e duhur, ndërsa janë çmuar politikat e saj të fqinjësisë së mirë, reformat, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse dhe për ngritjen e një shoqërie të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit”, raporton Zëri i Amerikës.

Kryeministri maqedonas Zaev e ka njoftuar ligjvënësin amerikan me rezultatet e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit dhe pritshmërinë e anëtarësimit në NATO, zhvillime këto që kanë shtuar, sipas tij, investimet e huaja në mbi 700 milionë dollarë në vend.

Maqedonia e Veriut pret që sivjet të bëhet vendi i 30 anëtar i NATO-s dhe shpreson që në vjeshtë të hap negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Engel të dielën do të pritet nga zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut. Vizita e tij në Shkup pason vizitat në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme