Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se emërtimi i koalicionit PDK, AAK dhe Nisma si “koalicion i territ” nuk qëndron.
“Fakti që kemi qenë së bashku, unë jam pjesë e një Qeverie që udhëhiqej nga Mustafa tregon sa të pavlera janë vlerësimet e tilla por jo edhe një politikë që mund të jetë afatgjate”.
“Ky është koalicion i fitores ndërsa ata të cilët përdorin një narracion të tillë, do të jenë një koalicion i humbjes”.
Nënkryetari i PDK-së si i ftuar në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës e ka quajtur koalicionin e partisë së tij me AAK-në e Nisman si koalicion të vendimeve të mëdha.
“Është koalicioni i vendimeve të mëdha, vendimet do të jenë të mëdha në fushën e politikës, ne besojmë se do ta mbyllim procesin e transformimit të Ushtrisë, do të sjellim vendimet të mëdha sa i takon vizave, dialogut me Serbinë dhe poashtu vendime të mëdha sa i takon ekonomisë”.
“Ky është koalicion i shpresës, koalicion i vendimeve të mëdha, koalicion i së ardhmes”.
Hoxhaj është shprehur shumë optimist se ky koalicion do të korrë fitore në zgjedhjet e 11 qershorit.
“Më 12 qershor do ta festojmë fitoren e më 11 qershor shpresoj që qytetarët të marrin vendimin e drejtë”.
“Fitorja është e pandalshme por përtej asaj se çfarë mund të thuhet në këto 10 ditë të fushatës me rëndësi është se ne dimë se çfarë do të bëjmë pas 11 qershorit”.