Për herë të parë në Kosovë dhe rajon, 30 profesorë të UBT-së janë trajnuar dhe certifikuar për AVR Edukator, ose konkretisht për realitet virtual, në kuadër të projektit të përbashkët mes kompanisë më të madhe botërore për teknologji virtuale, EON Reality dhe UBT-së.
Profesorët në UBT janë trajnuar për fazën e parë nga eksperti ndërkombëtar i arsimit virtual, Mohamad Ridwan Othman, teksa tashmë janë të vetmit në Ballkan, që janë certifikuar për të mundësuar instalimin dhe praktikimin e realitetit virtual në sistemin arsimor në Kosovë, gjithnjë përmes mësimeve praktike.
Tashmë, profesorët e trajnuar janë të gatshëm të menaxhojnë edhe platforma të realitetit virtual, të zhvillojnë dhe aplikojnë mësimin me modele e platforma të tilla tejet inovative.
Me trajnimin e 30 profesorëve fillimisht, si dhe me hapjen e Qendrës së Realitetit Virtual dhe të Shtuar, që do të shndërrohet në një laborator inovativ, ka filluar të jetësohet marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar muaj më parë mes kompanisë më të madhe botërore për teknologji virtuale, EON Reality dhe UBT-së.
Kjo marrëveshje parasheh investimin më të madh direkt në Kosovë, në vlerë prej 30 milion dollarëve, marrëveshje e cila përmes qendrës së lartë përmendur mundëson që gjeneratat e reja do të fillojnë që të mësojnë dhe praktikojnë realitetin virtual.
Falë UBT-së dhe EON Reality, në Kosovë është krijuar mundësia e gjetjes së mënyrave më të mira, që përmes realitetit virtual të bëhet transferimi i njohurive më lehtë, më shpejtë dhe në mënyrë efektive.