Gjatë vizitës në Kiev, presidenti turk, Rexhep Erdogan, përsëriti se vendi i tij do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për integritetin territorial të Ukrainës, duke theksuar se Ankaraja nuk e njeh aneksimin jolegjitim të Krimesë nga Rusia.
Këtë deklaratë ai e dha gjatë një konference për gazetarë në kryeqytetin ukrainas të hënën, pas bisedimeve me homologun Volodymyr Zelenskiy.
Grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qeveritë e vendeve perëndimore e kanë dënuar atë që e kanë cilësuar si fushatë shtypëse nga autoritetet ruse ndaj tatarëve të Krimesë.
Erdogan, i cili viteve të fundit i ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë, vazhdimisht i ka kundërshtuar veprimet e Kremlinit në Gadishullin e Krimesë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas tha se Ukraina llogarit në Ankaranë për lirimin e dhjetëra ukrainasve, të cilët po mbahet ilegalisht në burg në Rusi dhe Krime.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua edhe një marrëveshje për bashkëpunim në sektorin ushtarak, me të cilën Turqia do t’ia dhurojë 36 milionë dollarë Ukrainës për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe mallrave nga Turqia.