Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan ka arritur në Shqipëri.
Erdogan është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nën një organizim ceremonial nga garda e shtetit.
Presidenti turk Erdogan ka përshëndetur ngrohtësisht Ramën, me të zbritur në aeroportin e Rinasit.
Erdogan pritet të vizitojë disa vende të ndryshme të Shqipërisë, përgjatë vizitë së tij zyrtare.
Me mbarimin e ceremonisë, Erdogan viziton në Laç një prej shtëpive të rindërtuara pas tërmetit të 21 nëntorit të vitit 2019 dhe aty parashikohet edhe dorëzimi i të gjitha banesave, investim direkt i Turqisë.
Duket se Laçi do ta nderojë presidentin turk, ku një shesh do të emërtohet tashmë “Recep Tayyip Erdogan”.
Vizita në Laç pason direk takimin me kryeministrin Edi Rama, në orën 13:00, ndërsa pas 2 orësh ata do ta nënshkruajnë disa marrëveshje, kryesisht me temë ekonomike dhe do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 16:00, Erdogan inauguron xhaminë e Et’hem Beut, shkruan A2CNN.
Në fund, presidenti turk do të mbërrijë në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të mbajë edhe fjalën përshëndetëse.
Ndërkaq, Policia e Shtetit, njofton qytetarët se aksi Milot-Vorë-Milot apo rrugët hyrëse dhe dalëse, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 14:00, do të jetë i bllokuar për lëvizjen e kamionëve. Por do të ketë kufizimi edhe për kategoritë e tjera të automjeteve që përdorin rrugë dytësore për të qarkulluar në këtë orar, në këtë zonë.
Gjithashtu do të ndalohet lëvizja e mjeteve tek aksi mbikalimi i Laçit-Laç, në datën 17.01.2022, nga ora 08:30 deri në orën 12:30. Prej orës 08:30 deri në orën 10:00, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në segmentin rrugor Rinas-Vorë-Rinas.
Kufizime të lëvizjes do të ketë dhe për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në aksin rrugor Vorë-Milot-Vorë, si dhe bllokime të lëvizjes së automjeteve në disa segmente rrugore në Tiranë, në orare të ndryshme.