Erdogan: BE-ja ka nevojë për Turqinë

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Turqia vazhdon të punojë me vendosmëri në aspektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) përkundër atyre që përpiqen ta përjashtojnë atë nga familja evropiane, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Këtë deklaratë presidenti i Turqisë e bëri teksa kryesoi një takim të Grupit Aksional për Reforma në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Në fjalën e tij, Erdoğan theksoi se Turqia është përpjekur për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së gjatë 60 viteve të fundit, duke shtuar se vendi është i vendosur ta fitojë këtë gjë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri përkundër atyre që përpiqen ta lënë Turqinë jashtë familjes evropiane”, tha Erdoğan.

Ai tha se BE-ja ka më shumë nevojë për Turqinë sesa Turqia për BE-në, raporton AA.

“Besoj se ky fakt tashmë dihet nga secili: Nevoja e BE-së për Turqinë është më e madhe se nevoja e Turqisë për BE-në”, theksoi presidenti turk.

“Pa vendin tonë, është a pamundur që BE-ja t’i luftojë kërcënimet ekzistenciale që minojnë vlerat themeluese të BE-së, siç janë islamofobia, racizmi kulturor, diskriminimi dhe qëndrimet kundër migrimit”, shtoi Erdoğan.

Presidenti i Turqisë po ashtu tha se vendi i tij ka plotësuar 66 nga 72 kriteret e vendosura si kusht për arritjen e liberalizimit të vizave.

“Së shpejti do të bëjmë edhe hapat që mundemi për gjashtë kriteret e mbetura dhe kështu do të shohim se sa e sinqertë është BE-ja në aspektin e liberalizimit të vizave”, deklaroi Erdoğan.

Turqia aplikoi për anëtarësim të plotë në BE në vitin 1987, kurse bisedimet e pranimit filluan në vitin 2005.

Megjithatë, negociatat ndaluan në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve të administratës greke qipriote në ishullin e ndarë të Qipros, si dhe kundërshtimin nga Gjermania dhe Franca.

Ndryshe, Evropa sot shënon ditën e saj 9 Majin, simbol evropian që së bashku me valutën e përbashkët euron, flamurin dhe himnin prezantojnë identitetin politik të BE-së.

Në këtë ditë në vitin 1950, Robert Schumann e prezantoi propozimin për krijimin e Evropës së organizuar, si opsion për mbajtje të paqes në kontinentin e shkatërruar dhe të ndarë nga luftërat. Propozimi, i njohur si “Deklarata e Schumann-it” konsiderohet si fillim i formimit të asaj që sot e njohim si BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme