Turqia është në kontakt të vazhdueshëm me Britaninë në mënyrë që marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve të mos ndikohen nga procesi i largimit të vendit nga Bashkimi Evropian (Brexit), tha presidenti Recep Tayyip Erdogan, raporton AA, përcjell Klan Kosova.
Erdogan mbajti një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Koracisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila u prit në një takim në Pallatin Presidencial në Ankara.
Në adresimin para gazetarëve, presidenti turk tha se me homologen kroate kanë riafirmuar synimin për të rritur marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare.
“Do t’i intensifikojmë edhe më tutje përpjekjet për rritjen e investimeve reciproke dhe vëllimit tregtar”, tha Erdogan.
Në kuadër të vizitës, mes dy vendeve u nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fusha si kultura dhe arti.
Gjatë fjalës së tij, Erdoğan adresoi edhe çështjen e Brexit-it pas refuzimit të marrëveshjes mes qeverisë britanike dhe BE-së nga ana e anëtarëve të Parlamentit të Britanisë dje.
Ai tha se BE-ja është duke kaluar nëpër një periudhë sensitive për shkak të Brexit-it dhe se Turqia është duke e ndjekur nga afër këtë proces.
“Në vazhdën e mundësisë së Brexit-it, ne jemi duke i vazhduar bisedimet me Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që marrëdhëniet tona tregtare dhe ekonomike të mos ndikohen”.
“Po ashtu, ne jemi në kontakt me palët relevante në mënyrë që të merren masat të cilat do të mbrojnë të drejtat e shtetasve tanë që burojnë nga e ligji i partneritetit Turqi-BE, shtoi presidenti turk.
Ndërkaq, presidentja kroate Kitaroviç i vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet e vendit të saj me Turqinë, ndërsa theksoi nevojën që raportet në fushën ekonomike të thellohen edhe më tej.
“Ne duam që sa më parë të arrijmë një vëllim tregtar dypalësh prej një miliard dollarësh”, deklaroi Kitaroviç.