Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare, si Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, janë mbuluar në heshtjen e tyre dhe pasivitetin në Siri, ashtu siç ishte rasti më herët në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Ruanda, Jemen, Palestinë dhe Arakan, raporton AA.
Erdoğan mbërriti mbrëmë në një vizitë zyrtare në New York për të marrë pjesë në seancën e 73 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe iu drejtua të pranishmëve në darkën gala të organizuar nga Fondacioni TURKEN.
“Unë duhet këtu të them të vërtetën e hidhur se në botën e sotme nuk ka asnjë institucion, gjykatë ose mekanizëm i cili do të mbrojë viktimat e pafajshme dhe të ndjekin penalisht kriminelët, pa marrë parasysh identitetin e tyre. Institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare, si Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, janë mbuluar në heshtjen e tyre dhe pasivitetin në Siri, ashtu siç ishte rasti më herët në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Ruanda, Jemen, Palestinë dhe Arakan”, tha Erdogan.
Erdoğan tha gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare në heshtje ka shikuar masakrimin e njerëzve në Srebrenicë, dhe se dy dekada më vonë të njëjtën gjë e bën edhe në Halep.
Ai tha se Turqia ka marrë përsipër përgjegjësinë më të madhe kur është fjala për të ndihmuar popullin sirian dhe për të ndaluar krimet e reja masive kundër civilëve në Idlib dhe pjesët tjera të Sirisë.
Duke theksuar se opozita duhet të jetë palë në bisedimet e paqes për të ardhmen e Sirisë, Erdoğan tha se ky ka qenë qëndrimi i Turqisë që nga fillimi i luftës dhe se Turqia ka qenë gjithmonë në anën e mbrojtjes së civilëve dhe krijimin e zonave të sigurta.
“Marrëveshja turko-ruse për zonat e demilitarizuara në Idlib është e një rëndësie të veçantë. Forcat e opozitës do të mbeten në fushën e tyre dhe nuk do të ketë vend për grupet radikale”, tha presidenti Erdogan.