Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka lavdëruar performancën e futbollistit portugez, Cristiano Ronaldo në ndeshjen përballë Spanjës duke shtuar se e rëndësishme gjithashtu edhe qëndrimi i futbollistit për çështjen e Palestinës.
Erdogan u është përgjigjur pyetjeve të të rinjve pjesëmarrës në programin “Takimi Rinor dhe Teknologjik” të zhvilluar në Industrinë e Hapësirës Ajrore Turke.
I pyetur për favoritin në Kupën e Botës dhe krahasimin mes futbollistit argjentinas Lionel Messi dhe Ronaldos, presidenti Erdoğan tha:
“Unë në fillim kam thënë për Gjermaninë, por ajo humbi në ndeshjen e parë dhe gjërat u vështirësuan pak. Të gjitha ekipet e forta po humbasin. Gjermania humbi, po ashtu u vërejt edhe situata me Brazilin, ndërsa Meksika e çuditshme. Nuk e di nëse edhe pas kësaj do të vazhojë kështu”.
Ndër të tjera Erdoğan ka vënë theksin tek 3 golat e shënuar nga Ronaldo në ndeshjen Portugali-Spanjë, të cilat luajtën baraz. “Goditja e lirë është e padiskutueshme. Kjo nuk mund të arrihet nga çdo kush dhe gjithashtu performanca, karakteri, besimi dhe veçanërisht karakteri në çështjen e Palestinës janë shumë të rëndësishme. Për këtë e duartrokas”, tha ai.
Gjithashtu në fjalën e tij presidenti Erdoğan ka folur edhe për lançimin e satelitëve duke theksuar se deri në vitin 2003 Turqia ka lançuar vetëm dy satelitë në orbitë. Ai tha se me ardhjen në pushtet të Partisë AK, në orbitë janë lançuar 10 satelitë, ndërsa deri në vitin 2039 do të lançohen edhe 11 satelitë.