Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka paralajmëruar se vendi i tij nuk mund ta përballojë një valë të re të refugjatëve nga Siria, të cilët po largohen nga vendlindja e tyre për shkak të sulmeve të forcave ruse dhe siriane në rajonin e Idlib-it.
Dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre drejt kufirit me Turqinë pas shtimit të bombardimeve në provincën veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët.
Turqia tashmë i ka strehuar 3.7 milionë refugjatë sirianë. Ky është grupi më i madh i refugjatëve në botë tash për tash.
Kreu i shtetit turk paralajmëroi se një valë e re refugjatësh do të ndihej nga të gjitha vendet evropiane.
Duke folur në një ceremoni për ndarjen e shpërblimeve në Stamboll, presidenti Erdogan tha që më shumë se 80 mijë sirianë janë vendosur afër kufirit me Turqinë ditëve të fundit.
Ai paralajmëroi se mund të përsëritet kriza e refugjatëve e vitit 2015, kur më shumë se një milion njerëz ia kishin mësyrë Evropës, shkruan “BBC”, transmeton Express.
Rreth tre milionë njerëz jetojnë në provincën e Idlib-it, e cila ende kontrollohet nga rebelët dhe xhihadistët që po luftojnë kundër regjimit të diktatorit famëkeq, Bashar al-Assad