Erdogani viziton Ukrainën me shpresë se do të ndërmjetësojë me Rusinë

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, pritet ta vizitojë të enjten homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev. Një zyrtar tha se ai nuk është duke u vendosur në anën e askujt në tensionet mes Rusisë e Ukrainës.

Zyrtari turk i tha agjencisë “Reuters” se Ankaraja pret që tensionet të ulen pas takimit të dy udhëheqësve në Kiev. Të mërkurën, Ankaraja dhe Kievi thanë se do të nënshkruajnë marrëveshje për tregti të lirë dhe marrëveshje të tjera, shkruan Reuters.

Vizita e presidentit turk në Ukrainë vjen pas vizitave të udhëheqësve të anëtareve të NATO-s, Britanisë, Polonisë e Holandës, në Kiev në kohën e tensioneve. Turqia ka raporte të mira me Ukrainën dhe Rusinë, por ka thënë se do ta bëjë atë që është e nevojshme si anëtare e NATO-s, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

Në nëntor të vitit të kaluar, Turqia ofroi ndihmë për t’i ulur tensionet mes dy shteteve të Evropës Lindore dhe, muajin e kaluar, burimet diplomatike turke thanë se Rusia dhe Ukraina janë të hapura për këtë ide, shkruan Reuters.

Një zyrtar tjetër turk, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Erdogani do t’u bëjë thirrje të dyja palëve për përmbajtje dhe shtoi se Ankaraja dëshiron që ta vazhdojë bashkëpunimin me të dyja vendet “shumë të rëndësishme”.

“Qasja e Turqisë nuk është zgjedhja e njërës anë ose qëndrimi kundër një shteti në tensione. Me nismën e Erdoganit dhe me disa nga mesazhet që ai do t’i përçojë, ne presim që tensionet të ulen”, tha zyrtari turk.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme