Ermira Xhafa, vajza e parë në Kapitenerinë Detare të Shqipërisë

Prishtinë | 20 Jan 2019 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Ajo është vetëm 24 vjeç dhe ka thyer një tabu, duke shënuar emrin e saj në historinë e Kapitenerisë shqiptare.

Ermira Xhafa është e para vajzë që arrin të thyejë mitin e një profesioni krejtësisht mashkullor, në 104 vite histori të Kapitenerisë Detare të Shqipërisë.

“Ndihem shumë mirë në pozicionin e inspektores së Kapitenerisë së Portit Detar të Durrësit. Doja që edhe në vendin tonë të hynte kjo frymë e re, me pjesëmarrjen e vajzave në Detari. Jam përpjekur e kam hasur shumë vështirësi, për shkak të mentalitetit në vendin tonë mbi vajzat që ndjekin këtë profesion, po me përpjekje dhe përkushtim arrita këtu ku jam. Jashtë nuk është problem. Tek ne po, megjithatë edhe pse dominohet nga gjinia mashkullore, duke ardhur një-dy a më shumë vajza në vazhdim, kjo tabu do të thyhet”, tha Ermira Xhafa, inspektore e Kapitenerisë së Portit Detar Durrës.

Si shumë familje shqiptare, edhe familja e Ermirës emigroi herët dhe u vendos në një zonë bregdetare të Greqisë, ku vogëlushja nga Berati u tërhoq nga madhështia e detit dhe vajzat me uniformë të botës detare. Gjithçka u shndërrua në një pasion për detin dhe profesionet që lidheshin me të. Ndaj vendosi të studiojë për Navigacion.

“Nuk kam ndonjë lidhje me detin, po kam jetuar që e vogël në Greqi. Kam qenë gjatë të gjithë kohës në marrëdhënie me detin, pasi jetoja në një qytet bregdetar dhe atje fitova një frymëzim shumë të madh për këtë profesion. Flota tregtare atje ështe shumë e zhvilluar”, tha Ermira.

Por, asgjë nuk ka qenë e lehtë për të. Sfidat ishin të shumta. Së pari u përball me kundërshtimin e prindërve, por pasioni dhe këmbëngulja triumfuan mbi gjithçka. Ajo studioi dhe u diplomua në degën Navigacion të Universitetit të Vlorës, e tashmë sapo ka nisur punë në Kapitenerinë e Portit Detar të Durrësit, ku të gjithë drejtuesit dhe kolegët janë burra.

“Në kursin tonë kemi qenë 80 studentë, vetëm 2 vajza dhe 78 djem. Pjesa dërrmuese kanë qenë djem. Shoqja ime ende nuk është në një marrëdhënie pune, por uroj që dhe ajo të jetë një ditë pjesë e administratës detare apo kapitenerive të porteve”, tha Ermira në një intervistë për Top Channel.

Në vitin 2018, për herë të parë një traget me flamur shqiptar në Sarandë pati kapitene një vajzë, Ornela Muratin. Fillimi i 2019-s regjistron një tjetër arritje historike që mban emrin e Ermirës, e cila shpreson që shumë vajza të tjera të vijnë e të përqafojnë këtë profesion kaq të bukur e dinjitoz, duke thyer përfundimisht mitin e një prej profesioneve mashkullore në fushën e Detarisë.

Të ngjashme