Të premten (26 maj), sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (KB) ka shprehur “keqardhjen e tij të thellë” që qindra romë, ashkali dhe egjiptas janë helmuar me plumb në kampet e drejtuara nga Misioni i KB-së në Kosovë (UNMIK).
Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), Advancing Together, Durmish Aslano, Iniciative 6, Nevo Koncepti, Romtegra, RROGRAEK dhe “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, dënojnë mungesën e zotimit nga ana e KB në ofrimin e kompensimit, trajtimit mjekësor dhe njohjen e viktimave të helmimit me plumb nga ana e UNMIK-ut.
“Më 15 maj, pas pothuajse një vjet nga fushata e avokimit me KB-në, ERRC-ja ka dorëzuar 10 000 nënshkrime përmes një peticioni tek Sekretari i Përgjithshëm, duke kërkuar kërkimfalje të plotë dhe kompenzimin për shpërdorimet e kryera nga UNMIK-u. ERRC-ja është thellësisht mirënjohës nënshkruesve të peticionit. Nënshkrimet e juaja kanë sjellë gjendjen e vështirë të viktimave në vëmendjen e KB dhe botës. Ne jemi të zotuar të vazhdojmë të ndjekim drejtësinë tonë në këtë çështje. Kombet e Bashkuara duhen të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”.
Fushata ka filluar vitin e kaluar, pasi Paneli i KB-së për Drejtat Njerëzore tha se veprimet e UNMIK-ut ishin “të njollosur me paragjykime racore”. Paneli ka dënuar UNMIK-un për shkeljen e obligimeve të drejtave njerëzore. Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) ka qenë i kritikuar për mos-bashkëpunim në këtë proces, përfshirë edhe në mbajtjen e dokumenteve në mënyrë aktive. Ata kanë gjetur se zyra e PSPP-së është mbështetur në steorotipet e tyre diskriminuese, duke akuzuar Romët si përgjegjës për problemet e tyre shëndetësore për shkak të “jetesës” së tyre, një fyerje raciste e përdorur për të shpjeguar largimin e përgjegjësisë të KB-së për helmimin me plumb dhe shkeljen e drejtave të viktimave.
Në përgjigje të gjeturave të panelit dhe trysnisë nga shoqëria civile, KB-ja ka lëshuar një deklaratë mbi “keqardhjen e thellë” por jo një kërkimfalje. Jo kërkimfalje për vdekjet dhe vuajtjet e shkaktuara nga helmimi me plumb; jo kërkimfalje për mospërfilljen raciste nga UNMIK-u ndaj fëmijëve, grave dhe burrave të cenuar. Në lidhje me kompensimin, nuk do të ketë kompensim individual për familjet e viktimave. Nuk do të ketë mbulesë për trajtimin mjekësor të atyre që shëndeti ju ka dëmtuar.
“Këta romë, ashkali dhe egjiptian ishin vendosur në kampe pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Shtëpitë e tyre ishin shkatërruar nga ekstremistët, të cilët kishin djegur të gjithë vendbanimin. UNMIK-u i zhvendosi në kampe pavarësisht se ishin në njohuri se vendi ishte i ndotur në shkallë të rrezikshme. Ushtarët francez me shkallë tepër të lartë të plumbit në gjak ishin evakuuar nga vendi, por romët, ashkalitë dhe egjiptianët,duke përfshirë fëmijët dhe gratë shtatzëna nuk ishin larguar. Ishte menduar të ishte një masë e përkohshme, por njerëzit ishin ngujuar për pothuajse një dekadë”.
Sekretari i Përgjithshëm ka njoftuar themelimin e një Fondi të Mirëbesimit për të zbatuar projekte të bazuara në komunitete, kryesisht në Mitrovicën veriore, Mitrovicën jugore dhe Leposaviq. KB-ja pretendon që nga ky fond (I cili është themeluar pa fond fillestar) do të përfitojnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Projektet ndihmëse nuk do të përqendrohen në adresimin e nevojave të ngutshme të atyre që vuajnë nga helmimi me plumb, por nevojat e gjera të komuniteteve në këto hapësira, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën.
“Ndërsa, ne mirëpresim reagimin e KB-së në trysnin e shoqërisë civile dhe të mijërave njerëz, të cilët kanë kërkuar drejtësi, ky Fond i Mirëbesimit nuk mbulon padrejtësinë e shkaktuar, as nuk lehtëson problemet e menjëhershme të njerëzve që kanë vuajtur në kampet e zhvendosjes në Mitrovicë dhe Leposaviq. Reagimi i KB-së ndaj të gjeturave të panelit është zhgënjyes dhe i vonuar. Mungesa e njohjes nëpërmjet një kërkimfalje publike është fyerje ndaj njerëzve, të cilët kanë vuajtur gjatë në kampet e helmuara me plumb, që janë në pritje për drejtësi nga krimet e kryera nga UNMIK-u”.
“Ne, organizatat e poshtëshënuara përsërisim thirrjen tonë që KB-ja të zbatoj rekomandimet e Panelit Këshillues të KB-së për Drejtat e Njeriut, duke përfshirë një kërkimfalje të plotë, duke ofruar kompenzimin e 138 individëve të përfaqësuar para panelit, dhe duke ju ofruar trajtim të shpejt mjekësor atyre që janë prekur nga helmimi afatgjatë me plumb”.