Escobari vjen sot në Kosovë, takon presidenten Osmani dhe opozitën

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 07:59 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë sot në Kosovë.

Nga ora 10:00 ai do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar Zyra e Presidentes.

“Mediat fillimisht do të marrin pamje nga takimi, ndërkaq pas takimit do te ketë deklaratë për medie”.

Një nga çështjet e pashmangshme të diskutimit pritet të jetë ndalimi i dinarit.

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar në një konferencë për media online të martën ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vendimin e BQK-së për dinarin serb.

“Prej Brukselit do të udhëtojmë në Prishtinë ku do të fokusohemi për efektet dhe një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për dinarin”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se procesi i dialogut është në një moment kritik, dhe “më duhet të them se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“I inkurajoj të dyja palët të implementojnë marrëveshjet e arritura sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, tha ai.

Escobar u shpreh se “duke injoruar dialogun Kosova po injoron partnerët evropianë”.

Sa i përket vendimit të BQK-së për dinarin serb, Escobar u shpreh se i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrin seriozisht rekomandimet e tyre.

Ai u shpreh se kanë probleme komunikimi me kryeministrin Albin Kurti.

Emisari amerikan do të takohet edhe me krerët opozitarë, por nuk ka pasur njoftime zyrtare për vendin dhe kohën e mbajtjes së takimeve.

Të ngjashme