Ngjarjet e 2016-ës mund të duken më se të zymta, por studimi i historisë ofron një farë konteksti për atë që besojnë se po jetojmë mesërmes kohëve më të këqija.
Media sociale ziejnë me pyetjen: a është ky viti më i keq në histori? 2016-a, deri më tani ka qenë një vit tejet sfidues: një krizë e madhe e refugjatëve, lindur prej vuajtjeve në Siri dhe Irak; rritja e terrorizmit në Evropë, një kontinent i shastisur prej Brexit-it; një grusht shteti i dështuar dhe pasojat e tij në shtetin shumë të rëndësishëm strategjikisht, Turqinë; shpërthimi i Zikës; rritja të tensioneve racore në Shtetet e Bashkuara; uria në Nigerinë veriore.
Dhe gjithë këto, pa përmendur shqetësimin kryesor të disa njerëzve, vdekjet e njerëzve të famshëm. Perspektiva e Donald Trump dhe Vladimir Putin, si udhëheqësit respekt-ivë të SHBA dhe Rusisë, sugjeron se gjërat mund të shkojnë edhe më për keq, para se të përmirësohen.
Ato ditë shpresëdhënëse, kur Ronald Reagani dhe Mihail Gorbaçovi i zgjatën duart njëri-tjetrit, përtej Perdes së Hekurt duken një kohë shumë e largët.
Studimi i historisë, megjithatë, ofron një farë perspektive. Kur Vdekja e Zezë erdhi në Evropë në vitin 1347 – një konkurrent i fortë për titullin “viti më i keq në histori” – ajo vazhdoi duke vrarë rreth një të tretën e popullsisë së kontinentit, në pak më shumë se tre vjet, pasi kishte shkatërruar tashmë, pjesën më të madhe të Azisë.
Më pranë kohës sonë, gjatë vitit 1942 dhe 1943, Holokausti arriti kulmin, teksa Vehrmacht shtynte gjithnjë e më tej në lindje, në Bashkimin Sovjetik, para se të ndalej në Stalingrad. Çdokush që ka lexuar “Bloodlands” me autor Timothy Snyder, ose “Shoah” të Claude Lanzmann, e di se, përkundër përpjekjeve të ISIS, ne jemi shumë larg prej masakrave të tilla në shkallë të gjerë. Perspektiva e dikujt varet, sigurisht, edhe nga ajo, se cili është dhe ku ndodhet: indianët e Amerikanës përkujtojnë vitin 1492, ndërsa viti 1845, viti i parë i zisë së bukës, mbetet e fiksuar në kujtesën kolektive të Irlandës dhe diasporës së saj. Një sirian mund të pretendojnë 2016-ën si vitin më të keq, me arsyetime të kuptueshme.
Nëse do të detyrohesha të caktoja vitin më të keq, ai ndoshta do të ishte 1914-a. Në korrik të atij viti, një rend evropian që kishte sjellë paqe, prosperitet dhe progres të jashtëzakonshëm artistik dhe shkencor, filloi të zhbëhej.
Konflikti i madh që pasoi, çoi direkt në Revolucionit Rus, Gjermaninë naziste, Holokaustin, bombën atomike, Luftën e Ftohtë dhe kaosin që është Lindja e Mesme moderne. Vetëm në vitin 1989, me rënien e Murit të Berlinit, kemi hyrë në një periudhë relativisht të qëndrueshme – në “Fundin e Historisë” – para se edhe ky rend të shembej, më 11 shtator, 2001.
Teksa bota kërkon zgjidhje për një seri në dukje të pafundme krizash, mund të ngushëllohemi duke kujtuar fjalët e Edgarit, i cili tek “Mbreti Lir” i Shekspirit vërente: “Më e keqja nuk është / Sa kohë që ne mundemi të themi ‘Kjo është më e keqja’”.