Është fanellë… e gjakut

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 14:46 | Nga Driton Latifi

S’di kah me ja nis, as s’di çka ju them… veç një send e kam tanë kohën në krye: Kosova nuk e meriton paraqitjen, angazhimin e lojën që jeni duke e tregu!

Mendova mos me shkru, por diqka si shumë prej njerëzve që e duan këtë vend, po m’han diçka brenda thellë në vete, diçka po m’gërryen edhe ato keq…

Në këtë situatë fajtor nuk është vetëm trajneri, jeni edhe ju, vet ju lojtarët!

Humbja është pjesë e lojës dhe nuk mund të jeni imun as ju dhe askush tjetër nga ajo, por mungesa e angazhimit, përkushtimit, bashkëpunimit janë të pafalshme. Dhe kështu ka me qenë gjithmonë!
Pas gjithë atij glorifikimi që ju kemi bërë, na dëshpëruat, na zhgënjyet edhe atëherë kur kishim nevojë për fitore si komb. E dijmë se ju nuk i zgjidhni hallet e këtij vendi, as problemin e veriut, as problemet sociale e shumëçka tjetër, por ju jeni populli, ju jeni ne!

Ajo fanellë që e vishni në çdo penj të saj ka erë gjaku, erë nga një copë rrobash të bëra me gjak nga të burgosurit, dëshmorët, familja Jashari e deri te fëmiu e nëna e Abrisë. Aty ka penj të atyre që kanë dhënë më të mirët për këtë vend, janë edhe penjtë e prindërve tuaj nga rrobat që kanë ikur nëpër male për një jetë tuaj më të mirë.

Është një fanellë e larë me gjak dhe ai gjak është krenari në sytë tanë, sa herë që e veshni e fluturoni me të.

Është fanellë e re, për botën, por me peshë shumë të madhe për ne.

Është fanellë që nëse nuk e ndjeni, aman mos e veshni, na bëni nder mos me veshë, se nuk është fanellë mode e trendesh, por dinjiteti e ideali.

Është fanellë që e kanë ëndërruar prindërit tuaj, gjyshërit, familjet, iks talenta, por hej vetëm juve po ju jepet mundësia, aman ruajeni si sytë e ballit.

Është fanellë ndryshe nga ajo e klubit, kjo nuk ju jep shkëlqimin e përditshëm, por të përjetshëm.

Është fanellë që ju ka bërë të arrini aty ku jeni në klube dhe asaj mbrapa po i jepni shumë pak kohët e fundit.

Është fanellë që nuk kërkon motiv shtesë.

Është fanellë e popullit e secilit në Kosovë e sidomos bashkëatdhetarëve tanë, prandaj të gjithë kemi të drejtën e pamohueshme me kërki përgjegjësi.

Është një fanellë që shumë kënd e bën të mendoj se edhe me vdekë të mos i mbetet asnjë peng në këtë jetë. Dhe këtu kujtoj gjithë ato gjenerata lojtarësh që në vitet e mbijetesës vendosen themelet e shtetit tonë.

Kushtet i keni maksimale, hotele pesë yjesh, aeroplane charter që përdor edhe Manchester United, logjistikë e kujdes maksimal nga Federata ma e re në Evropë.

Madje edhe motivi financiar nuk mungon, shpërblime apo premio për barazim e fitore, ndërsa shifra milionëshe për kualifikim… dhe duket se as këto nuk ju mjaftojnë!

Mbytja e atmosferës brenda, krenaria e tepruar e mos respektimi i kundërshtarit ju ka kushtuar dhe ka me ju kushtuar gjithmonë.

Na duhet një trajner i ri, po na duhet, trajnerët shkojnë e vijnë, por doktrina e ekipit duhet me pas tri elemente: krenari, luftë dhe respekt.

Janë disa lojtarë që ndiejnë veten senatorë, pas disa ndeshjeve, por harrojnë se ka shumë më tepër njerëz që kanë dhënë për atë fanellë që nuk kanë marrë asgjë mbrapa dhe këta i takoj çdo ditë.

Mos harroni, Kosova është mbi të gjitha…

Të ngjashme