“Edhe nënshkrimi juaj nuk është nënshkrim, por vepër artistike”, citohet t’i ketë thënë Ibrahim Kodrës, piktori Pablo Picasso.
E ajo që kubisti spanjoll e cilësonte si vepër arti është veç intro e ekspozitës në posterin që ndodhet afër portës kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Shkup, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Çifte Hamam”, objekt i trashëgimisë kulturore i ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XV, të shtunën mbrëma është shndërruar në vendtakim të atyre që pëlqejnë e janë kurioz t’i shohin veprat e Kodrës, që njihet edhe si kubisti i fundit.
Shëtitja në korridorin e parë të Galerisë, më pas në një sallë të vogël në të majtë nëpërmjet së cilës kalohet deri tek njëra nga hapësirat kryesore të objektit me dy kupola të mëdha, nuk përmbledh thjesht 57 vepra të Kodrës.
I bie të ecësh nëpër etapat krijuese të maestros që u lind më 1918 në Shqipëri e vdiq në vitin 2006 në Milano.
Pikturat dhe vizatimet që sipas renditjes i bie të shihen të parat u takojnë viteve ’40, ’50 e ’60 të shekullit të kaluar.
“Dy të dënuara”, pikturë e vitit 1942 i takon penelit të një krijuesi të ri që frymën ekspresioniste e shfaq në tablotë e para. Të dënuarat qëndrojnë kokë më kokë e duart i kanë të lidhura prapa. Në njëfarë forme, prapë janë bashkë pavarësisht dënimit.