Qendra tregtare ETC, si pjesë e Elkos group, përuroi sot rreth 40 mijë metra hapësira të reja, afër qendrës së vjetër në Ferizaj. Objekti i ri ka hapësira marketi, hapësira rekreacioni, si dhe parking të brendshëm e të jashtëm.
Në ceremoninë e përurimit të objektit të ri, morën pjesë kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, zëvendësministra, deputetë, afaristë dhe qytetarë të shumtë.
Kryeministri Mustafa u shpreh mbështetës i hapjes së kapaciteteve të reja biznesore, duke e quajtur ETC-në shembull të mirë të bashkëpunimit të shumanshëm, si dhe konkurrent të denjë në rajon dhe më gjerë.
Ai shfaqi mirënjohje për këtë kompani për kontributin dhënë hapjes së vendeve të punës dhe për zhvillimit ekonomik në përgjithësi.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, gjithashtu shprehu bindjen se përurimi i kapaciteteve të reja, e rrit fuqinë ekonomike, e shton konkurrencën, e cila u sjell përfitime konsumatorëve dhe e rrit numrin e të punësuarve.
Kryetari Svarqa falënderoi kryeministrin Mustafa për kujdesin që po tregon ndaj Ferizajt, duke ndjekur nga afër rrjedhat zhvillimore në këtë komunë.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, konstatoi se sektori privat në Kosovë ka ecur me hapa më të shpejtë se politika dhe se ETC është një nga shembujt e suksesshëm të këtij rrugëtimi.
Me përurimin e hapësirave të reja, ETC është bërë qendra më e madhe tregtare në Ferizaj.