ETEA: SBAShK-u dhe MAShTI urgjentisht të anagzhohen për të mirën e nxënësve

Prishtinë | 01 Sht 2022 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Organizata e arsimit ETEA është duke e ndjekur me shqetësim situatën e krijuar nga institucionet relevante të arsimit dhe sindikatat.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se për nxënësit është duke u mohuar e drejta themelore për arsim dhe simbolikës së ditës së parë të shkollës, pas grevës që është duke u zhvilluar.

“Është po kaq e pajustifikueshme ngarkesa emocionale dhe konfuzioni mendor që u shkaktohet fëmijëve për pothuajse çdo fillim të vitit të ri shkollor. Sektori i arsimit në Kosovë është në krizë të thellë dhe për këtë janë të vetëdijshëm krerët e institucioneve dhe sindikatave. Por, në njërën anë Qeveria e Kosovës duke mos e prioritizuar arsimin, kurse në anën tjetër sindikatat duke shkaktuar bllokadë totale të arsimit në mënyrë të përsëritshme (instrumenti më ekstrem sindikal), qartazi po shpërfaqin papërgjegjësinë e tyre profesionale dhe humane në raport me fëmijët dhe vendin”.

“Organizata ETEA konsideron se është urgjente dhe kërkon nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të mos i shndërrojë fëmijët në instrument sindikal, por të shfrytëzojë mënyra tjera të të bërit presion ndaj institucioneve për mirëqenie të mesimdhënësve/eve, qëllim ky për të cilin ETEA padyshim se e mbështet dhe angazhohet vazhdimisht”.

“Tutje, ETEA e konsideron urgjente dhe i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të vihet në krye të detyrës duke u angazhuar për dialog dhe gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e pakënaqësive pasi kjo është detyrë dhe përgjegjësi e plotë e kësaj të fundit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme