Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), ka njoftuar të premten se ekspertët e tyre mjeko-ligjorë janë në mbështetje të Institutit të Mjekësisë Ligjore për punën në terren për kërkimin e personave të zhdukur.
Sipas EULEX-it, ky proces është kompleks dhe kërkon bashkëpunimin e specialistëve të mjekësisë ligjore si dhe palëve të përfshira.
“Arkeologu mjekoligjor i EULEX-it po ofron ekspertizë teknike në gërmimet në lokacionin Stavajl në Serbi. Javën e kaluar, antropologia mjekoligjore e EULEX-it mbështeti IFM-në në zhvarrosjen e mbetjeve në Pllanjanë në Kosovë dhe këtë javë po mbështet vlerësimin e dy lokacioneve në rajonin e Kamenicës”, thuhet në komunikatën për media.
Ky njoftim i EULEX-it vjen pasi IML tha se ekipet e saj mjekoligjore n edhe gjatë kësaj jave kanë vazhduar me kryerjen e gërmimeve hulumtuese dhe zhvarrimeve në operacionet e ndryshme fushore, si në territorin e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe në atë të Serbisë.
“Nga data 10.05.2022, lokacioni I gërmimeve hulumtuese në Shtaval është duke u mbuluar me pjesëmarrjen e ekipeve mjekoligjore nga Instituti I Mjekësisë Ligjore. Në lokacionin e Shtavalit, planifikohet që punimet të zgjasin edhe javën tjetër në kuadër të gërmimeve hulumtuese për varrezë massive”, thuhet në njoftimin e institutit.