EULEX: Simmons po flet të pavërteta për Misionin pasi u hetua vetë e nuk ofroi kurrë fakte

Prishtinë | 12 Kor 2021 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Sot Malcolm Simmons, ish-gjyqtar në EULEX, u rrëfye para deputetëve të Kuvendit. Në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, ish-punëtori i misionit të BE-së për sundim të ligjit hodhi akuza të ashpra kundrejt EULEX-it duke thënë se atij i ishte kërkuar të dënoheshin ish-ushtarët e UÇK-së që po gjykoheshin në rastin Kleçka e Drenica. Tutje, ish-gjyqtari tha se EULEXI i dorëzoi dokumente palës serbe sa ishte pjesë e këtij misioni. Por të gjitha këto akuza i ka mohuar EULEX, nëpërmjet një deklarate për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Në një përgjigje të gjatë për Gazetën Online “Reporteri.net”, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, i kanë cilësuar deklaratat e sotshme të ish-gjyqtarit të tyre Malcolm Simmons në Kuvend si një përmbledhje e të pavërtetave.

“Deklarata e Malcolm Simmons në Kuvend sot është një përmbledhje e supozimeve të keq konceptuara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale. Duke e ditur që ai nuk mund të paditet për shpifje, pasiqë deklarata e Simmonsit është e mbuluar nga privilegji i imunitetit parlamentar, ai u angazhua në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkeljet që pretendon të kenë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe synon t’i shërben motiveve dhe interesave të tij të fshehta”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Tutje misioni i BE-së në Kosovë, këto deklarata të Simmons i ka konsideruar si përpjekje për të diskridituar EULEX-in dhe vet Bashkimin Evropian.

Kjo sipas tyre, si reflektim i pakënaqësisë së tij për tre hetimeve që u kryen nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja ndaj ish-gjyqtarit.

“Ne e shohim këtë si një tjetër përpjekje për të diskridituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe vetë BE-në. Po ashtu është edhe një reflektim i pakënaqësisë së Simmonsit me rezultatin e tri hetimeve të kryera kundër tij nga autoritetet e BE-së në Bruksel dhe të parashtruara tek autoritetet e tij të dyta në Mbretërinë e Bashkuar për veprime të mëtejme. Simmons po ashtu duket se është i pakënaqur me pushimin e lëndës nga gjykata në Mbretërinë e Bashkuar të një kërkese civile që ai ngriti kundër Misionit dhe institucioneve të tjera të BE-së më 2020. Shkurt, ai është i pakënaqur me të gjitha procedurat ligjore kundër tij”, deklaron EULEX në përgjigjen e tyre për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

EULEX thotë se Simmons nuk bashkëpunoi me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë kur iu dha mundësia për t’u deklaruar për këto akuza gjatë vitit 2017. Madje sipas EULEX-it, ish-punonjësi i tyre nuk ofroi asnjë evidencë për deklaratat e tij.

Ndërkaq për pretendimet e Simmons rreth çështjes “Kleçka”, EULEX deklaron se ato i kundërshton realiteti i vendimeve gjyqësore.

Sipas tyre ishte vet Simmons që kishte gjykuar rastin “Kleçka” ku përfshihej Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s, i cili akuzohej për krime lufte.

“Rasti “Kleçka”: Pretendimet e Simmons për çështjen “Kleçka” kundërshtohen nga realiteti. Ai pretendon se një gjyqtar i tha atij se puna e tij mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Sidoqoftë, pasi trupi gjykues, i cili kryesohej nga Simmons, liroi të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën, por ai u emërua President i gjyqtarëve të EULEX një vit më vonë. Simmons gjithashtu tha se “Kleçka” ishte një çështje e cila nuk duhej të kishte shkuar kurrë në gjyq. Por ishte ai që gjykoi çështjen si kryetar i trupit gjykues. Si i tillë, ai kishte të gjitha mundësitë për t’u tërhequr në rast se nuk ishte dakord me sjelljen e çështjes në gjykatë”, shton EULEX.

Në përgjigjen e tyre, EULEX flet edhe për rastin “Drenica II”, paneli i së cilës çështje sipas tyre ishte e ligjshme dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në nëntor të 2019 thotë t’i hedh poshtë të gjitha pretendimet e paragjykimet e Simmonsit ndaj trupit gjykues të shkallës së parë.

EULEX i ka hedhur poshtë akuzat e Simmons se misioni ka dorëzuar shkresa të gjykimeve të krimeve të luftës Prokurorisë Serbe.

“Në lidhje me pretendimet se EULEX-i u dorëzoi shkresat e rasteve gjyqësore autoriteteve të Prokurorisë Serbe e përsërisim se EULEXI kurrë nuk ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës tek autoritetet prokurorial serbe dhe as nuk u ka dhënë autoritet mbi rastet dhe lëndët investigive. Ne e sfidojmë Simmonsin të identifikojë ndonjë rast që ai pretendon se Misioni u dha autoriteteve serbe”, thotë EULEX për Reporteri.net.

Në fund të përgjigjes së gjatë EULEX thotë se gjithnjë i ka hetuar me prioritet akuzat për shkelje dhe në disa raste të limituara ka shqiptuar dënime për punonjësit e tij.

Të ngjashme