Organet e sigurisë në Republikën e Kosovës nuk posedojnë asnjë listë të vetme lidhur me personat e dyshuar për krime në Kosovë, gjatë periudhës së luftës 1998-99.
Një listë të tillë të ushtarakëve apo personave të armatosura për të cilët ka shënime që kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve të rënda si masakrime, pushkatim, therje të popullsisë civile dhe dhunimin e femrave e posedon vetëm Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) i cili për “target” ka ndjekjen e tyre.
Zv.Drejtori i përgjithshëm i PK-së, Naim Rexha ka konfirmuar se EULEX-i është i vetmi institucion që ka emrat e personave të cilët kanë kryer krime gjatë periudhës së luftës. Kështu, sipas tij, Policia e Kosovës nuk ka asnjë listë të vetme. Megjithatë, ai thotë se janë disa zyrtarë të PK-së të cilët bashkëveprojnë në kuadër të Njësisë së krimeve të luftës së policisë së EULEX-it.
“Jemi të gatshëm si dhe ne kemi kërkuar disa herë që ne ta marrim përgjegjësinë edhe para vazhdimit të mandatit të fundit të EULEX-it, mirëpo nuk ka është dhënë. Ne kemi njohuri për një data-bazë që është në kuadër të kësaj Njësie, mirëpo çfarë ka aty ata e administrojnë. Policët tanë kanë filluar të merren me raste të caktuara siç ju ndahen në kuadër të Njësisë”, ka thënë ai gjatë raportimit të Komisionit për Siguri.
Nga ana tjetër, avokati i njohur, Tomë Gashi e ka quajtur skandaloz mos-posedimin e listave nga autoritetet kosovare. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai thotë se Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit nuk mund të sillet si “padron” në Republikën e Kosovës. Gashi thotë se listat e këtyre personave duhet t’i posedojë edhe Policia e Kosovës.
“Kjo nuk është sjellje normale nëse është e vërtetë se EULEX-i këtu është për ndihmë dhe nuk ushtron kurrfarë autoriteti shtetëror. Ai është mision i Bashkimit Evropian për të na ndihmuar por jo edhe ta luaj rolin e “Zotit të Shtëpisë” në shtetin tonë”, ka thënë ai.
Më tej, Gashi potencoi se të gjithë serbëve që kanë kryer krime në Kosovë duhet të lejohet hyrja në territorin tonë.
“Duhet tu lejohet hyrja në Kosovë dhe posaçërisht duhet tu lejohet hyrja atyre që janë identifikuar që kanë bërë krime monstruoze ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në mënyrë që të ata të arrestohen nga autoritetet e shtetërore të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Gashi, lista për pamundësinë e hyrjes në territor të Kosovës mund të ekzistojnë dhe ato duhet t’i realizojë vetëm Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nëse personat e nacionalitet serbë që jetojnë në Serbi eventualisht janë gjet fajtorë dhe janë shpall fajtor për vepra penale apo çka-do që të jetë, me dispozitat ligjore.